2008-09-24 18:30:50

“Feja nuk lind nga një mit e as nga një ide, por nga takimi me Krishtin e ngjallur, në jetën e Kishës”.


(24.09.2008 RV)RealAudioMP3 Feja jonë nuk lind nga një ide, por nga takimi personal me Krishtin e ngjallur: këtë theksoi sot Benedikti XVI gjatë audiencës së përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit. Papa vijoi katekizmin mbi jetën e Shën Palit.
Benedikti XVI, gjatë katekizmit të sotëm, foli për marrëdhëniet ndërmjet Palit e Apostujve, që shquheshin gjithnjë nga respekti i thellë e njëkohësisht nga çiltërsia me të cilën Apostulli i Popujve mbronte të vërtetën e Ungjillit. Posaçërisht domethënës takimi i tij me Shën Pjetrin, “shkëmbim mbi të cilin po ngrihej Kisha”. Shën Pali – pohoi Papa – i tregon me besnikëri të gjitha fjalët që dëgjoi prej Apostujve. Në Letrat e tij kanë rëndësi të veçantë fragmentet, që lidhen me Eukaristinë e me Ngjalljen e Krishtit. Predikojmë të njëjtin Ungjill – pohon Shën Pali - misioni i të cilit për të ungjillëzuar paganët, përfocohet nga Apostujt:
“Rëndësia që ai i jep Traditës së gjallë të Kishës, të cilën ajo ua përcjell bashkësive të saj, dëshmon sa i gabuar është vizioni i atyre, që mendojnë se Pali është shpikës i krishterimit. Para se ta kumtonte Jezu Krishtin, Zotin e tij, ai e takoi në rrugën e Damaskut dhe e ndoqi pas në Kishë, duke e vëzhguar jetën e Tij në të Dymbëdhjetët e në të gjithë ata, që e ndoqën pas rrugëve të Galilesë”.
Kështu Pali, nga persekutues i të krishterëve, u bë ungjillëzues i flakët i asaj feje në Mesinë e kryqëzuar, që ia kishte kthyer përmbys jetën në rrugën e Damaskut. Prandaj mund të themi se këtu nuk kemi të bëjmë me asnjë lloj shpikjeje por, përkundrazi, me kumtimin e një fakti:
“Feja jonë nuk lind nga një mit, as nga një ide, por nga takimi me të Ngjallurin, në jetën e Kishës”.
Duke iu drejtuar, në përfundim të katekizmit, besimtarëve të Republikës çeke, Benedikti XVI kujtoi se të dielën e ardhshme Kisha në këtë vend do të kremtojë solemnitetin e Shën Vençeslaut, pajtor kryesor i Kombit çek. Benedikti XVI i ftoi katolikët çekë ta ruajnë trashëgiminë e tyre shpirtërore dhe t’ua përcjellin të pacënuar breznive të reja.
Duke përshëndetur besimtarët portugezë, i nxiti të krishterët t’u tregojnë të gjithëve se lumturi mbi këtë tokë do të thotë të duash Jezu Krishtin. Në fund i drejtoi përshëndetjen një grupi të rinjsh të Shoqatës Dallandyshja-Qyteza e paqes e Arecos, disa nga të cilët, ardhur nga Kaukazi, duke uruar afirmimin e kulturës së bashkëjetesës paqësore ndërmjet popujve dhe promovimin e mirëkuptimit e të pajtimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.