2008-09-24 18:35:01

Thirrje e imzot Tomazit në Këshillin për të Drejtat e Njeriut: “Përballë dhunës, ushtruar këto ditë, është urgjente të promovohet toleranca fetare”.


(24.09.2008 RV)Urgjente, nevoja për promovimin e tolerancës fetare - në fjalimin, që mbajti kryeipeshkvi Silvano Tomazi, përfaqësues i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara, në Këshillin për të Drejtat e Njeriut në Gjenevë. Këto ditë, imzot Tomazi foli edhe para Asamblesë së anëtarëve të Organizatës Botërore të pasurisë intelektuale, gjithnjë në Gjenevë.
Bashkësia ndërkombëtare po e shikon me sytë e vet dendësimin e manifestimeve të dhunshme të intolerancës fetare në disa zona gjeografike të botës – kujtoi imzot Tomazi, duke nënvizuar se është fjala për shkeljen e të drejtave më fillestare të njeriut, pavarësisht nga feja së cilës i përket. Imzot Tomazi tërhoqi vëmendjen mbi faktin se mosdënimi i këtyre krimeve, që vërehet shpesh, përcjell mesazhin se sulmet e dhunshme, e madje edhe zhdukjet fizike të njerëzve të një besimi tjetër, janë të pranueshme. Gjashtëdhjetë vjet më parë, Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut mbështeste të kundërtën, duke mbrojtur “të drejtën e secilit për lirinë e mendimit, të ndërgjegjes e të fesë”. Përfaqësuesi i Selisë së Shenjtë shprehu shqetësimin për format e ndryshme të diskriminimit në dëm të pakicave fetare, si keqtrajtimet shoqërore, paragjykimet politike e dhuna. Prelati i mbështeti të gjithë ata që do të shprehen për këtë situatë, pa harruar të theksojë se nuk duhet të kufizohen tek fjalimet thjeshtë retorike, por ta nxisin çdo shtet të zhvillojë një veprimtari konkrete në të gjitha nivelet: në ligjshmërinë kombëtare, në sistemin gjyqësor, në qeveri, në sistemin edukativ, në media, e deri në nivelin e vetë bashkësive fetare. Përfaqësuesi i Selisë së Shenjtë nënvizoi se ligjet mbi blasfeminë mund të kthehen në armë, që përdoren kundër armiqve personalë ose si pretekst për të shkaktuar dhunën.
Imzot Tomazi foli edhe nga një tribunë tjetër, gjithnjë në Gjenevë, ku e ripreku këtë temë në Asamblenë e Anëtarëve të Organizatës Botërore të pasurisë intelektuale. Duke pasur mirë parsysh kuptimin e konceptit ‘pasuri intelektuale’, prelati ripohoi me forcë se Selia e Shenjtë i kushton vëmendje të posaçme përmasave etike e shoqërore, që lidhen me njeriun dhe me veprimet e tij. Foli, më pas, në favor të drejtpeshimit të normave, që kanë të bëjnë me vendet më të varfëra, të cilave u duhen vlerësuar veçoritë dhe identiteti. Duke cekur edhe problematikat ende të hapura, në fushën e pasurisë intelektuale, imzot Tomazi nënvizoi përgjegjësinë e punonjësve të kësaj fushe, të cilët duhet të kontribuojnë për ndërtimin e një bashkësie ndërkombëtare më drejtë e më paqësore.







All the contents on this site are copyrighted ©.