2008-09-24 18:46:05

"Poeti Pol Verlen zbulon Zotin në burg"


(24.09.2008 RV)"Poeti Pol Verlen zbulon Zotin në burg"“Fatkeqësitë nuk vijnë kurrë vetëm!”.Pol Verleni shikon trishtueshëm hekurat e burgut, në të cilin e kanë mbyllur. Fatkeqësia e parë ishte gjesti i tij i çmendur, ndonjë muaj më parë, kur qëlloi mikun e tij, poetin Artur Rembò. Fatkeqësia e dytë sapo iu komunikua me postë. Jemi në prillin e vitit 1874, kur merr lajmin se e shoqja, Matilda, është ndarë prej tij e se gjyqi ia ka besuar asaj të birin. E kupton fare mirë se fajin e ka vetë.
“Jam njeri i keq e jeta ime tashmë është e shkatërruar”.
Mendon për të kaluarën e tij, për gjithë ç’ka shkruar. Verleni është, pa dyshim, një nga poetët më të mëdhenj të Francës. Kur i lexon me zë të lartë vargjet e tij, të krijohet përshtypja se je duke dëgjuar një muzikë të këndshme, që të larton drejt qiellit, me ngjyrimet e saja të lehta e me personazhet origjinale. Po tashmë në kokën e Verlenit tingujt kanë heshtur. Janë shlyer ngjyrat. Kanë vdekur personazhet përrallore. Poeti është vetëm me kujtimet e tij të hidhura. Mendon se do të jetë vetëm përgjithmonë, se askush nuk do ta dojë më. Disa orë më vonë kërkon të takohet me kapelanin, një meshtar që i ndihmon të burgosurit, kur këta dëshirojnë të flasin për jetën e tyre ose të bëjnë pyetje për Jezusin. Verleni i kërkon një libër katekizmi e fillon ta lexojë për ditë. Është fillimi i një diskutimi të gjatë me kapelanin, sepse shpesh here Verleni nuk është aspak dakord me atë, që thotë katekizmi. Por Atë Deshamp nuk e humbet durimin e një ditë i bën një dhuratë: i var në qelinë e burgut një figure të Krishtit. “E tmerrshme kjo figure” , thotë Verleni duke qeshur.
Por, një mëngjes qershori, i burgosuri kërcen papritmas nga krevati e gjunjëzohet para fytyrës së Krishtit. Kupton se Jezusi e do e se libri i katekizmit thotë të vërtetën. Nuk ndjehet më i vetëm në burg. Do t’i kërkojë falje Jezusit për të keqen që ka bërë. Tani e ndjen se ka një zemër të re.1Pasi del nga burgu, një vit më vonë, për ca kohë jeton në mënyrë shembullore. Por nuk shpëton dot nga karakteri i tij i trazuar. Një takim i vetëm me Zotin, nuk mund t’i shlyejë aq shpejt vuajtjet në jetën e njeriut. Dalngadalë i rikthehen dyshimet e rinis një jetë plot trazira. Por askush nuk mund ta vërë në dyshim atë që ndodhi në zemrën e tij, as nuk mund ta njohë luftën shpirtërore, që përballoi, kur brenda tij ndesheshin dëshira për të jetuar si i krishterë, me gjithçka tjetër, që e pengonte ta ndiqte Krishtin. Këtë vetëm Zoti mund ta dijë!

1 Kujtojmë se gjatë qëndrimit në burg, Pol Verleni shkroi një mori poezish me temë fetare, të cilat i përmblodhi në librin me titull ‘Liturgies intimes’ (Liturgji intime, 1892) dhe ‘Elégies’ (Elegji, 1893). Po kujtojmë titujt e disave prej tyre: ‘Koha e Ardhjes’, ‘Krishtlindja’, ‘Fëmijët e pafaj’, ‘Kyrie eleison’, ‘Gloria in exelsis’, ‘Kredo’, ‘Të ngjiturit e Krishti në qiell’, ‘Agnus Dei’, ‘Uratët e mbrëmjes në fshat’ etj. etj.







All the contents on this site are copyrighted ©.