(24.09.2008 RV)Kanë kaluar 78 vjet
nga lindja e Dr. Dom Gaspër Gjinit. Prifti e studiuesi i madh, lindi më 24 shtator
1930 në Ferizaj, në familjen e madhe të Kolës e të Dushe Gjinit, që lindën, rritën
e edukuan 12 fëmijë. Gaspri u shugurua meshtar më 2 korrik 1955. Më vonë shkoi
në Romë, ku pas studimeve në Universitetin Urbanian, më 1968 mbrojti doktoratën me
temë “Mbi burimet historiko-juridike të Kishës së Shkupit”. Pjesën më të madhe
të jetës ia kushtoi veprimtarisë baritore, në fillim si sekretar i ipeshkvit, më pas
si kancelar e si famullitar në Ferizaj e në Shkup. Vite me radhë shërbeu si kryetar
i Gjyqit kishtar e si bashkëpunëtor i zellshëm i “Dritës”. Gjatë kësaj kohe përpiloi
dhe botoi librin e uratëve “Shûjta shpirtërore”. Mbylli sytë më 7 mars 1985 në
spitalin e Beogradit, në sa ishte në kulmin e pjekurisë shkencore. Njeri me virtyte
të rralla, me kulturë poliedrike, ai na la trashëgim veprën madhore postume: "Ipeshkvia
Shkup -Prizren nëpër shekuj" , botuar në Zagreb, më 1992.