2008-09-23 16:10:39

Rurbika 365 ditë:"Atë Damian de Vester në ishullin e të gërbulurve".


(23.09.2008 RV)Atë Damiani e ndjen se po i bie të fikët. I duket se po shikon një ëndërr të keqe... Në sa po jeton një ngjarje të vërtetë. Jemi më 17 mars të vitit 1873 e ai sapo ka zbarkuar në Molokaì, ishull i Oqeanit Paqësor. Njerëzit që takon, lëshojnë një erë të padurueshme e i kanë trupat tejet të gjymtuar.
“Janë njerëz, janë vëllezërit e mi, e kam vendosur të jetoj me ta, i dua”, përsërit papushim me vete Damiani, duke shtrënguar fort dhëmbët.
Molokai! Ky emër i mallkuar i bën të dridhen nga tmerri të gjithë banorët e zonës. Molokai është ishulli i të gërbulurve. E gërbula është sëmundje e tmerrshme, që i tremb për vdekje njerëzit në rrjedhë shekujsh. E mbyt dalë-nga-dalë atë që e kap, duke ia grirë lëkurën e kockat. Në kohën e Atë Damianit nuk ishte gjetur akoma ilaçi kundër gërbulës e, për më tepër, njerëzit besonin se mund të ishte ngjitëse. Madje besonin edhe se ishte mallkim e se të gërbulurit qenë mëkatarë, të dënuar nga Zoti. Por natyrisht nuk ishte kështu. E pra për këtë arsye të gërbulurit braktiseshin e nuk u afrohej askush. Nuk kishin të drejtë të jetonin si të gjitha qeniet e tjera njerëzore.
Për t’i larguar nga shoqëria, për ta u caktua një ishull në Oqeanin Paqësor. Sapo dikush sëmurej nga gërbula, policia e shkëpuste menjëherë nga familja dhe e çonte në Molokai, ku lihej në mëshirën e fatit, pa asnjë mjekim, i dënuar të vdiste, si të ishte kafshë.
Kur Atë Damiani, një meshtar belg, hipi në anijen që do ta çonte në Molokai, të gjithë besuan se ishte çmendur. Të shkoje në mes të gërbulurve, do të thoshte të shkoje drejt vdekjes së sigurt: heret a vonë, Atë Damiani do ta merrte gërbulën. Po vendimi i tij nuk ishte vetvrasje: meshtari vendosi t’ua kushtojë jetën njerëzve më të pafat, atyre që askush nuk i shikonte si njerëz.
Në Molokai kishte shumë për të bërë. Me ndihmën e të gërbulurve më pak të ligshtë, Atë Damiani ndërtoi kasolle të këndshme. Mjekoi të sëmurët rëndë, ashtu si diti e si mundi e i shoqëroi me praninë e vet, deri në çastin e fundit. U mësoi banorëve të ishullit të kultivojnë barishtet për t’u ushqyer. Ndërtoi një jetimore për fëmijët që humbisnin prindërit nga shkaku i sëmundjes. Ia kushtoi të gjitha energjitë shërbimit të të gërbulurve.Kur Atë Damiani vdiq nga gërbula, pesëmbëdhjetë vjet më vonë, Molokai nuk ishte më një skëterrë e vërtetë, siç e kishte gjetur. Së pari, ishulli ishte shumë më i pastër e të gërbulurit jetonin me dinjitet. E, ajo që ka më tepër rëndësi, të sëmurët e kuptuan se nuk ishin të dënuar nga qielli. Nga ana tjetër, në Ungjill, thua nuk e shohim Jezusin duke i shëruar të gërbulurit? Atë Damiani ua tregonte shpesh banorëve të Molokaisë këtë gjest të mrekullueshëm, që dëshmonte se Hyji i do!







All the contents on this site are copyrighted ©.