2008-09-23 16:07:00

Drejt Sinodit mbi Fjalën e Zotit: mësimet e Benediktit XVI.


(23.9.2008 RV)Tashmë kanë mbetur veç pak ditë nga përurimi i punimeve të Sinodit mbi Fjalën e Zotit që do të zhvillohet në Vatikan nga data 5 deri më 26 tetor. Papa foli mbi këtë edhe dje gjatë takimit që pati me ipeshkvijtë e rinj në Kastel Gandolfo. Gjatë takimit Ati i Shenjtë nënvizoi nevojën që çdo i krishterë të vërë në qendër të jetës së vet Fjalën e Zotit. Por t’i shohim me radhë mësimet e Benediktit XVI mbi këtë temë:
“Të injorosh Shkrimin Shenjtë është si të injorosh Krishtin”: Papa citon shpesh vërejtjen e Shën Jeronimit duke kujtuar nevojën “që çdo i krishterë të jetojë në kontakt dhe në dialog personal me Fjalën e Zotit që na është dhuruar në Shkrimin Shenjtë.” E dialogu për të qenë i tillë duhet të ketë gjithmonë dy përmasa:
“Nga një anë duhet të jetë një dialog me të vërtetë personal, sepse Zoti flet me secilin prej nesh nëpërmjet Shkrimit Shenjtë dhe ka një mesazh për seicilin. Duhet të lexojmë Shkrimin Shenjtë jo si fjalë e së kaluarës por si Fjalë e Zotit që na drejtohet edhe ne dhe të përpiqemi të kuptojmë çfarë don të na thotë Zoti. (Nga audienca e përgjithshme e 7 nëntorit 2007.)
Nga ana tjetër Shkrimi Shenjtë duhet lexuar “në bashkim me Kishën e gjallë” për të mos rënë në një interpretim individualist, shpeshherë i kushtëzuar nga koha dhe nga modat :
“Nuk duhet të harrojmë kurrë se Fjala e Zotit i kapërcen kohrat. Opinionet njerëzore shkojnë e vijnë. Çka sot është tepër moderne, nesër do të jetë tepër e vjetër. Fjala e Zotit, përkundrazi, është Fjala e jetës së amshuar, ka në vetvete përjetësinë, atë çka vlen përgjithmonë. Duke pasur brenda nesh Fjalën e Zotit, mbartim në vetvete, pra, të përjetshmen, jetën e amshuar. ( nga Audienca e përgjithshme e 7 nëntorit 2007).
“Kisha, pohon Papa - nuk jeton vetvetiu por nga Ungjilli dhe gjithnjë nga Ungjilli gjithmonë e rishtas, nxjerrë udhëzime për udhëtimin e saj. Ky është element që çdo i krishterë duhet ta pranojë e ta zbatojë në vetvete”:
“Vetëm kush vihet në dëgjim të Fjalës mund të bëhet pastaj kumtues i saj. E në fakt ai nuk duhet t’u mësojë të tjerëve diturinë e vet por diturinë e Zotit, që shpesh duhet si budallallëk në sytë e botës. (Fjalimi për 40-vjetorin e Dei Verbum. 16 shtator 2005)
Pra, Papa ngre një pyetje:
“Duhet të pyesim veten: Ne të krishterët a mos jemi bërë ndoshta shumë të heshtur? Mos ndoshta na mungon guximi për të folur e për të dëshmuar... Bota jonë ka nevojë për këtë dëshmi: pret mbi të gjitha dëshminë e përbashkët të të krishterëve.” (Lutjet e dyta mbramësore të Kthimit në Fé të Shën Palit. 25 janor 2007.)
Benedikti XVI na fton të praktikojmë Leximin e meditimin e Shkrimit Shenjtë, leximi i kundruar dhe i lutur i Fjalës së Zotit:
“Ai lexim kërkon që të rrihet një kohë e gjatë përmbi një tekst biblik, duke e lexuar dhe e rilexuar, thuajse duke e “ripërtypur” siç thonë Etërit e Kishës, dhe duke e shtrydhur gjithë “lëngun”, që të ushqejë meditimin dhe kundrimin e që pastaj të arrijë të lagë si limfë jetën konkrete.” (Lutja e Engjëllit të Tenzot e 6 nëntorit 2005.)
Dëgjimi i Fjalës bëhet i kotë nëse nuk zbatohet në praktitë në jetën e përditshme: shembulli është Maria e cila fliste e mendonte me fjalët e Zotit.
“Le të lutemi, që si Maria, Kisha të jetë një vajzë e urtë e Fjalës hyjnore dhe ta shpallë gjithnjë me besim të ngultë, kështu që e gjithë bota duke e dëgjuar të besojë, duke besuar të shpresojë e duke shpresuar të dashurojë.” (Lutja e Engjëllit të Tenzot 6 nëntor 2005.)







All the contents on this site are copyrighted ©.