2008-09-22 17:24:57

Në Engjëllin e Tënzot Benedikti XVI i ftoi liderët e botës t’i realizojnë objektivat e Mijëvjeçarit në favor të të varfërve.


(22.09.2008 RV)RealAudioMP3 Në lutjen e djeshme të Engjëllit të Tënzot, Benedikti XVI bëri thirrje për të ndihmuar popullsitë e vendeve karaibike e ato të jugut të SHBA-së. Më pas iu drejtua udhëheqësve të mbarë botës, duke u kujtuar realizimin e objektivave të Mijëvjeçarit, të përcaktuara nga OKB-ja. E madhe turma e besimtarëve, që e ndoqi lutjen e Papës. Ndërmjet tyre, shumë të rinj, mbledhur në oborrin e Pallatit Apostolik të Kastel Gandolfos.

Në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa u drejtoi një përshëndetje të posaçme popullsive të dashura të vendeve karaibike, të Haitit, Kubës, Republikës dominikane e atyre të jugut të SHBA-së, posaçërisht banorëve të Teksasit, të dëmtuar rëndë nga ciklonet, duke i siguruar të gjithë se lutet për ta e duke bërë thirrje për ndihmë:
“Uroj, veç të tjerave, që të arrijnë sa më shpejt ndihmat në zonat më të dëmtuara. Dashtë Zoti që, së paku në këto rrethana, solidariteti e vëllazëria të fitojnë mbi çdo arsye tjetër”.
Më pas, Papa tërhoqi vëmendjen mbi takimin, që do të mbahet pranë Pallatit të OKB-së në Nju Jork të enjten e ardhshme, më 25 shtator, për të kontrolluar realizimin e objektivave të përcaktuara në Deklaratën e Mijëvjeçarit, nënshkruar më 8 shtator të vitit 2000. Në këtë takim marrin pjesë liderët e të gjitha vendeve të Botës. Prej këndej, ftesa e Benediktit XVI:
“… dëshiroj të përsëris ftesën që të merren e të zbatohen me guxim masat e nevojshme për të çrrënjosur varfërinë e skajshme, urinë, padijen e shuplakën e pandemive, të cilat godasin sidomos njerëzit më të ligshtë. Një impenjim i tillë, ndonëse në këto çaste vështirësish ekonomike botërore, kërkon flijime të veçanta, nuk do të vonojë të japë frytet e veta si në zhvillimin e Kombeve që kanë nevojë për ndihmë nga jashtë, ashtu edhe për paqen e mirëqenien e mbarë Planetit".
Para se të kremtonte lutjen e Engjëllit të Tënzot, Papa komentoi, nga Ungjilli i djeshëm, shembëlltyrën e zotërisë, i cili thërret në orë të ndryshme, punëtorë për të punuar në vreshtin e vet. E, të jesh i thirrur është shpërblimi i parë, një ‘çmim në vetvete’, për të cilin ia vlen të dërsish. Por këtë e kupton vetëm ai që e do Zotin e mbretërinë e tij; ndërsa kush punon vetëm për pagë - shpjegoi Ati i Shenjtë – nuk do ta kuptojë kurrë vlerën e këtij thesari të pallogaritshëm.
Më pas Papa solli shembullin e Shën Mateut, apostull e ungjilltar, që e tregon shembëlltyrën e që e jetoi edhe vetë një përvojë të tillë. Ai, me zanat tagrambledhës, i konsideruar mëkatar nga të gjithë, pas ftesës së Jezusit ‘Eja pas meje!” , bëhet nxënës i Krishtit. Nga i fundmi, u bë i pari, falë logjikës së Hyjit që - për fatin tonë – ndryshon nga logjika e botës – nënvizoi Benedikti XVI.
E kështu edhe Shën Pali, të cilit sivjet i kremtojmë vitin jubilar – vijoi të kujtonte Ati i Shenjtë – provoi gëzimin që buron nga thirrja e Zotit për të punuar në vreshtin e Tij. E ç’ punë bëri – tha Papa - duke u kthyer nga persekutues i njerëzve, në apostull të popujve, me vetëdijen se vetë puna për Zotin është shpërblimi që merr njeriu mbi këtë tokë. E ky shpërblim është aq i madh, sa e nxiti të thotë: “Vërtetë për mua Krishti është jetë e vdekja, fitesë”.
Në përfundim Papa kujtoi Virgjërën Mari, të cilën e nderoi një javë më parë në Lurdë, duke e quajtur “shermend i përkryer i vreshtit të Zotit” e duke iu lutur të na ndihmojë të gjithëve të gjejmë lumturinë, në sa punojmë për Mbretërinë e qiellit”.
Në përshëndetjet përfundimtare, drejtuar shtegtarëve, Papa u shprehu afërsinë e tij të sëmurëve me Alzheimer, të cilëve u kushtohej Dita e djeshme ndërkombëtare, themeluar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.