2008-09-22 17:32:05

Me 21 shtator kalendari Kishtar përkujton shën Mauricin e shokët, martirë të legjionit Tebea.


(22.09.2008 RV)RealAudioMP3 Të dhënat kryesore për ta i gjejmë tek Eleuteri, ipeshkëv i Lionit, i cili përshkruan martirizimin e qindra ushtarëve, të kryesuar nga Maurici. Këta ushtarë, që i përkisnin legjionit ‘Tebea’ të Maksimian Herkuleut, u shfarosën sepse nuk pranuan të nisen në Gali, për të persekutuar të krishterët. Nga studimet historike, që janë bërë deri më sot, arrihet në përfundim se para persekutimit të madh të Dioklecianit, ndoshta aty nga viti 286, Maksimian Herkuleu ndërmori një ekspeditë në Gali kundër Bagaudit. Disa nga ushtarët e legjionit, të kryesuar nga Maurici, nuk pranuan të marrin pjesë në kremtimet për nder të hyjnive pagane e u martirizuan pranë Agaunum, në Valeze të Zvicrës, ku kulti i tyre është shumë i lashtë. Këtë e vërtetojnë edhe gërmimet arkeologjike, nga të cilat, më 1893, doli në dritë një bazilikë e kësaj epoke.
Martiriologu Romak caktoi datën 22 shtator për të përkujtuar Shenjtorët Maurici, Kandidi, Ezuperi të cilët, së bashku me shokët e tyre ushtarë dhe veteranin Vitori, përballuan martirizimin për shkak të urrejtjes që kundërshtarët kishin për fenë e tyre të krishterë. Prandaj populli vijon të ketë, prej shekujsh, devocion të madh për Legjionin Tebea.







All the contents on this site are copyrighted ©.