2008-09-22 17:30:14

Benedikti XVI duke kushtuar Elterin e Madh të katedrales së Albanos: “Sa herë i afrohemi elterit, ia hapim shpirtin faljes e pajtimit vëllazëror”.


(22.09.2008 RV)RealAudioMP3 Elteri është pikë takimi ndërmjet Qiellit e Tokës. Hapeni shpirtin tuaj për t’i bërë udhë faljes e pajtimit, kur merrni pjesë në kremtimin eukaristik” – kjo është pjesa kryesore e homelisë që mbajti Papa dje në katedralen e Albanos, rindërtuar kohët e fundit. Papa kryesoi Meshën Shenjte me ritin solemn të kushtimit të Elterit të Madh, të sapopërfunduar. Për ta pritur Atin e Shenjtë, në Sheshin ‘Pia’ të qytezës laciale kishin dalë, ndërmjet të tjerëve, kardinali Anxhelo Sodano, titullar i dioqezës suburbikare dhe imzot Marçelo Semeraro, ipeshkëv i Albanos.
Me një ujëvarë petalesh të bardha, shumë fëmijë që brohorisnin: ‘Papa! Papa!’ si dhe me parullën ‘Mirë se erdhe, Atë i Shenjtë!, e cila valavitej nga turma: kështu e priti qyteza laciale Benediktin XVI. Dëshmoi në këtë mënyrë, afërsi thellësisht shpirtërore, por edhe krenari, duke pasur parasysh se Vilat papnore të Kastel Gandolfos, seli verore e Papës, ndodhen pikërisht në qendër të Albanos, fare pranë Katedrales, rikthyer në shkëlqimin e parë. Këtu Benedikti XVI kremtoi ritin solemn të kushtimit të Elterit të Madh, duke kujtuar se mbi të Krishti do të vijojë të vetëmohohet në flijimin e Eukaristisë, për shëlbimin tonë e të mbarë botës:
“Në Misterin eukaristik, që përsëritet në çdo elter, Jezusi është me të vërtetë i pranishëm. Prania e tij e gjallë na fton të bashkohemi me Të, të bëhemi një gjë e vetme”.
Prania e Krishtit, ‘gur i gjallë’, e bën secilin nga ne shtëpinë e Tij – vijoi Papa – e të gjithë së bashku formojmë Kishën e Tij, ndërtesë shpirtërore që, e forcuar nga dashuria, nuk ka frikë se mund të shembet:
“Është dashuria e Krishtit – nënvizoi Benedikti XVI - ajo dashuri që s’do të ketë kurrë mbarim, energjia shpirtërore, e cila i bashkon pjesëmarrësit në Eukaristi. Nuk është e mundur, prandaj të paraqitemi para elterit të ndarë, sepse ai është një ftesë e vazhdueshme për ta dashur njëri-tjetrin”.
Në përfundim të kremtimit, Papa ia besoi Katedralen e sapo rindërtuar ndërmjetësimit të Virgjërës Mari, duke iu lutur ta ndihmojë dioqezën e Albanos të shkruajë në kohët tona, një faqe tjetër shenjtërie të përditshme e popullore.







All the contents on this site are copyrighted ©.