2008-09-20 17:05:18

Reflektim i Atë Federiko Lombardit: “Shpresa nga Franca”.


(21.09.2008 RV)RealAudioMP3 Javën e kaluar drejtori ynë i përgjithshëm, Atë Federiko Lombardi, duke shoqëruar Benediktin XVI, reflektoi për Papën si ‘shtegtar në Lurdë’, ndërsa tani, që udhëtimi përfundoi me sukses të plotë, reflekton për shpresat që lindën nga Franca:

“Udhëtimi i Papës në Francë sigurisht u bekua nga rezultate gjërësisht pozitive, siç pohon pjesa më e madhe e vëzhguesve. Por, ndërsa pritej që etapa e Lurdës të zhvillohej në një atmosferë qetësie e përshpirtërie të thellë, nuk ishte aq e sigurtë që edhe etapa pariziane të shoqërohej me vëmendje të madhe, plot respekt, nga shoqëria franceze e që edhe Kisha vendase të dëshmonte gjallëri e pjesëmarrje të jashtëzakonshme.
Papa, në dy fjalimet e tij të mëdha, propozoi, me qartësinë dhe koherencën e zakonshme, vizionin e marrëdhënieve ndërmjet laicitetit e fesë: “Laicitet i vërtetë nuk do të thotë të përjashtosh përmasën shpirtërore, por të pranosh se pikërisht kjo e garanton rrënjësisht lirinë tonë dhe pavarësinë e realiteteve tokësore”. E akoma, mbi marrëdhëniet ndërmjet kulturës e fesë: “Të kërkosh Hyjin, të jesh gjithnjë për udhë drejt Zotit, mbetet edhe sot, ashtu si dje, rruga kryesore e themeli i çdo kulture”. Fakti që mund të bëhen këto pohime sot, në vendet më përfaqësuese të jetës politike e kulturore evropiane, duke fituar vëmendje e vlerësim, në vend të kundërshtimeve paragjykuese, të jep zemër e të bën të mendosh se edhe në situatën e shndërruar historike, feja e krishterë dhe Kisha katolike janë të thirrura të japin kontributin e tyre tejet të çmuar - e jo më pak të nevojshëm - për ndërtimin e qytetërimit të mijëvjeçarit të ri. Kisha në Francë – e posaçërisht të rinjtë, që e pritën Papën me entuziazëm të madh – përgatiten për këtë. Është inkurajim edhe për shumë vende të tjera”.







All the contents on this site are copyrighted ©.