2008-09-20 11:22:12

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 25-të ‘A’


(20.9.2008 RV)RealAudioMP3 Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 25-të gjatë vitit kishtar ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik të kishës.
Tema e përbashkët e leximeve biblike të kësaj së diele mund të shprehet nga kjo pyetje: ‘Kush është Zoti im?’
Në leximin e parë nga Izaia profet, na thuhet se ‘udhët e Zotit’ janë thellësisht të ndryshme prej udhëve tona; në leximin e dytë nga letra e shën Palit drejtuar Filipianëve, kemi dilemën nëse duhet vazhduar të jemi me njerëz apo të preferojmë të jetojmë menjëherë me Zotin; së fundi Ungjilli i kësaj së diele nga Mateu, na tregon një nga shëmbëlltyrat më të sakta mbi marrëdhënien ndërmjet Zotit e secilit prej nesh. Duhet të vihemi në dëgjim të Fjalës së Zotit me zemër të vëmendshme e të lirë; e konfrontimi i përhershëm me Fjalën Hyjnore duhet të na shpie të kemi për Zotit të njëjtën ide që Ai ka dashur të na dëftoj. Po kështu, Fjala e Zotit na fton ta vëjmë në qendër të vëmendjen e këndej të kujdesit e të dashurisë sonë Zotin e së bashku me Të edhe njeriun, të afërmin tonë, pa gjykuar e refuzuar. Sikur Zotit, edhe ne ta vëjmë në qendër të jetës jo paranë, por njeriun; jo prodhimin, por personin e duke e shikuar të tjerët në Dritën e Zotit, do të zbulojmë bururinë e jetës e madhështinë e bujarisë.
Leximet biblike të liturgjisë së Fjalës së Zotit të kësaj së diele pra na dëftojnë e tregojnë se Zoti është ndryshe nga siç ne mund ta mendojmë, pra se mendimet tona njerëzore nuk janë mendimet e Tij Hyjnore, as udhët e mjetet tona njerëzore nuk përkojnë me udhët dhe mjetet e Tij Hyjnore, se Zoti i parapëlqen të fundmët, të prapambeturit, të përvujturit. Dashuria e Zotit është absolute, falas, e lirë, e pamatshme, e pakapshme, përdëllyese. Dashuria e Zotit i dhurohet çdo njeriu. Çdo krijese, pavarësisht nga kushtet sociale e nga meritat që ka. Pra mendimet e Zotit nuk përkojnë me mendimet tona. Udhët e Tij nuk janë udhët tona. Kjo fjali është një pohim, por në të njëjtën kohë edhe një thirrje për t’u ngritur edhe ne, duke u orvatur tti bëjmë tonat mendimet e Zotit, duke i shikuar njerëzit e sendet ashtu siç i shikon Zotit, do të thotë nga lartë ( “Sikur qielli që është i lartë në krahasim me tokën…”). Shëmbëlltyra e Ungjillit të kësaj së diele na tregon sa jemi larg Zotit e veprave të Tija Hyjnore. Në të shumtën e rasteve Zoti na befeson, sepse nuk arrijmë dot ta kuptojmë e t’i vlerësojmë veprimet e Tija. Punëtorët që janë marrë për të punuar në vreshtën e zotshtëpisë – për çka flet pjesa e Ungjillit të kësaj së diele – që të gjithë janë thirrur e dërguar të punojnë në mënyrë të ndryshme, kush më shumë e kush më pak, sipas dhuratave që kanë marrë nga Zoti. Pronari i vreshtës plotë dashuri e mirëkuptim ndaj atyre që qenë të fundit është Hyji Atë, që i shpërndan falas të mirat e veta duke i parapëlqyer mëtatarët (apo të fundmët) pa i hequr asgjë të tjerëve.
Shëmbëlltyra e Ungjillit të kësaj së diele nga Mateu, pra na komunikon konkretisht sjelljet dhe qëndrimet e Zotit ndaj nesh e nga çdo njeriu, si dhe të qenurit të Tij të lirë, zemërbujar në shpërndarjen e të mirave Hyjnore me të cilat Ai na shpërblen me begati. Më tepër, mund ti dëgjoni këtu leximet biblike të kësaj së diele dhe komentin……RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.