2008-09-20 11:22:24

365 ditë: "Zoti Leo Dypont, njeri i rëndomtë, i jashtëzakonshëm".


(20.09.2008 RV)Është e diele paradite e Kisha është krejt e qetë. Një grup besimtarësh ndjek Meshën Shenjte. Jemi në vitin 1850, epokë në të cilën besimtarët nuk janë aq të shumtë. Një pjesë e mirë e shikon fenë si paragjykim, në të cilin besojnë vetëm budallenjtë, gratë e të varfërit. Zoti përjashtohet nga jeta publike e rrallë kush shkon në Kishë, sepse shikohet me sy të shtrembër.
Por sot, në çastin e kungimit, ata pak njerëz, që janë ulur në bankat e para të Kishës, janë të lum, kur shikojnë një burrë në një farë moshe, që merr kungimin krejt serioz. Të pranishëmt e njohin. Është zoti Leo Dypont, njeri që i përket shoqërisë së lartë. E megjithatë, askush nuk çuditet kur e shikon duke ndihmuar Meshë përvujtërisht. Zoti Dypont nuk e ka mohuar kurrë fenë e vet e i kryen gjithnjë me kujdes të madh detyrat e tij si besimtar. Ka pësuar shumë në jetë, por gjithnjë i është lutur Zotit, e posaçërisht në këto çaste. Pas vdekjes së gruas, hoqi dorë nga detyra e tij si gjykatës në Ishullin e Martinikës, në Karaibe, e shkoi të jetonte në Tur të Francës, ku rriti vajzën, që ishte ende e vogël. Që kur arriti, njerëzit u çuditën kur panë se ky njeri i kamur largohej nga shoqëria e lartë e afrohej gjithnjë më shumë tek Kisha.
Që asokohe, i kalonte ditët duke u lutur e duke bërë vepra të mira, kudo e thërriste zëri i mjerimit. Ndihmonte të varfërit, të sëmurët, të burgosurit, analfabetët. Ishte gjithnjë pranë jetimoreve, oratoreve, kongregatave në shërbim të nevojtarëve. Të gjithë e donin dhe e respektonin. Për besimtarët ishte njeri shumë i rëndësishëm, sepse i siguronte e i përforconte në fe. Nuk ishte prift, as rregulltar. Ishte njeri si gjithë të tjerët. E u tregonte të gjithëve se askush nuk duhet të turpërohet, sepse beson në Zotin! Përkundrazi. Që kur erdhi në Tur, shumë njerëz iu afruan fesë katolike. Zoti Dypont, me jetën e tij të thjeshtë, dëshmoi se kushdo mund të jetë shenjt, sepse mesazhi i Krishtit u drejtohet të gjithë njerëzve.







All the contents on this site are copyrighted ©.