(21.09.2008 RV)“E tmerrshme. Kanë kaluar më se katër muaj, që kur burrat na
u nisën për në luftë, e ne s’kemi asnjë haber prej tyre!”. “E për më tepër, gjermanët
kanë arritur tek portat e vendit” E si mund të mbahet ky vend, kur burrat janë larg
e ndoshta-ndoshta, edhe kanë vdekur? Banorët e Pontmeinit, një fshat i Francës perëndimore,
presin më të keqen. Jemi në fillim të vitit 1871, disa muaj pas fillimit të luftës,
e të gjithë francezët e kanë humbur shpresën: perandori Napoleoni II e ushtria e tij
janë shpartalluar. Vogëlushi Jozef Barbedetë, i pushtuar nga ankthi i të rriturve,
vendos të dalë e të marrë pak ajër të freskët. Jashtë është natë, toka është e ngrirë
e bën një e ftohtë polare. Në sa përplas këmbët për tokë, për t’u ngrohur, Jozefit
i shkon mendja tek famullitari i fshatit. Është i vetmi, që nuk e ka humbur shpresën:
u ka shpjeguar fëmijëve se duhet të luten, për të shpëtuar. Thua duhet t’i besojë? Papritmas
Jozefi çon sytë e mbetet i habitur. Në qiell shikon shumë më tepër yje se zakonisht.
E bëjnë natën ditë. E ja, para tij, përmbi shtëpinë e fqinjve, qielli hapet. Duket
një Zonjë e mrekullisht e bukur, që i buzëqesh. Është e veshur me rrobe blu, plot
me yje. Kokën ia mbulon një vel i zi, mbi të cilin ndrit një kurorë ari. I trembur
për vdekje, Jozefi lëshon një britmë të mprehtë e vrapon për të thirrur familjarët.
Pas pak aty arrin i gjithë fshati, por askush nuk shikon gjë, përveç Jozefit e gjashtë
fëmijëve të tjerë. Në fillim të rriturit mendojnë se fëmijët po tallen. E pabesueshme!
E pra duken krejt të sinqertë. E pastaj janë ende tre yje të ndritshme, pikërisht
në vendin që tregojnë fëmijët… Atëherë të gjithë nisin të luten. Tek këmbët e Zonjës
duket një frazë, e shkruar me shkronja të arta. Fëmijët e lexojnë me nga-dalë: “Lutuni,
bijtë mi, lutuni! Zoti do t’ju dëgjojë menjëherë. Im Bir do të preket nga lutjet tuaja”. Banorët
luten me gjithë zemër. Aty nga ora nëntë e mbrëmjes, Virgjëra zhduket, por shpresa
rikthehet në zemrat e të gjithëve. Të nesërmen përparimi i ushtrisë gjermane ndalet.
Disa ditë më pas, të dyja palët nënshkruajnë marrëveshjen e armëpushimit: lufta ka
marrë fund. Tridhjetë e tetë burrat e Pontmeinit kthehen të gjithë, shëndosh e mirë,
në shtëpi. Banorët janë të tronditur. Jozefi mendon se famullitari kishte plotësisht
të drejtë. Jezusi është gjithnjë gati për t’i dëgjuar lutjet e njerëzve.