Të mos u jepen armë atyre që dhunojnë të drejtat e njeriut. Kërkesë e Amnesty International
(19.09.2008 RV)Qeveritë duhet të
pengojnë transferimin e armëve aty ku ekziston rreziku që ato të përdoren për të dhunuar
rëndë të drejtat e njeriut. Kjo është thirrja e organizatës Amnesty International
para mbledhjes së tetorit, në të cilën shtetet anëtare të OKB-së do të vendosin nëse
do të vazhdojnë rrugën drejt Traktatit për tregtinë e armëve. Por cilët janë eksportuesit
kryesorë të armëve? Të dëgjojmë Rikardo Nourin, zëdhënës i Amnesty International në
Itali: Eksportuesit kryesorë të armëve – sipas të dhënave të vitit 2006 – janë
të gjitha shtetet anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit: pra shtetet e fuqishme,
shtetet që mund të thonë fjalën e vet për fatet e njerëzimit, për paqen e sigurinë,
por që e venë në rrezik këtë paqe e siguri përmes tregtisë së armëve, e cila është
e paligjshme nga njëra anë, por e kontrolluar dhe e autorizuar nga qeveritë, nga ana
tjetër. Qeveritë janë plotësisht përgjegjëse e pikërisht për këtë arësye, Amnesti
u kërkon që të ekzistojë norma, sipas të cilës të mos dërgohen armë drejt atyre vendeve,
që me shumë mundësi do t’i përdorin për dhunimin e të drejtave të njeriut. Por
cilat janë vendet ku armët përdorën për dhunimin e të drejtave të njeriut? Sigurisht,
rastet më të qarta janë ato të Darfurit, përveç Irakut dhe Kolumbisë. Në Darfur, ne
kemi dy shtete anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit – Kina dhe Rusia –
që dërgojnë armë vazhdimisht: helikopterë, avionë, municione, pistoleta dhe pushkë.
SHBA dhe Britania e Madhe, edhe këto anëtare të Këshillit të Sigurimit, që nga viti
2003 kanë mbytur me armë Irakun, me objektivin për të riarmatosur dhe për të riorganizuar
forcat e sigurisë së Bagdadit, por me rezultatin e armatosjes së grupeve të veçanta
ose të furnizimit të tregut të zi. Sipas jush, a do të pranohet kërkesa juaj? Ne
kemi besim se do të pranohet. Nga njëra anë, është e pakonceptueshme të qëndrohet
duarkryq para vrasjes të së paku 1000 personave në ditë, për shkak të përdorimit të
armëve të zjarrit. Nga ana tjetër, duhet thënë se ekziston edhe mobilizimi i shoqërisë
civile, i Organizatave për të drejtat e njeriut, fushata e Amnesty, vota e 153 shteteve
të OKB-së në dhjetor 2006 në favor të Traktatit. Megjithëse ndër ta ka vende eksportues
të armëve, si Brazili apo Italia, vota tregon se po rritet vetëdija për dëmin që tregtia
e papërgjegjshme e armëve po bën në jetë njerëzore, në fushën e sigurisë apo të qëndrueshmërisë.
Jemi optimistë, por natyrisht nuk mund t’i lemë vetëm përfaqësuesit e qeverive të
mbyllen në një sallë për të diskutuar mbi Traktatin, sepse ekziston rreziku që ai
të ndryshohet apo të mbetet jo efikas.