2008-09-19 15:15:02

365 ditë: “Atë Pëtizhâ dhe rizbulimi i Kishës së Nagasakit".


(18.09.2008 RV)Nagasaki, Japoni, 1865. Atë Pëtizhâ lutet në Kishën e re, të përuruar një muaj më parë. Por është i trishtuar: që kur arriti në ishull, nuk ka takuar asnjë të krishterë japonez. E të mendosh se në vitin 1605 ishin më se dy milion.
Është e vërtetë se që asokohe kanë ndodhur shumë gjëra. Në shekullin XVII Japonia i mbylli portat. I shkëputi të gjitha lidhjet me botën e jashtme. Meshtarët perëndimorë, që kishin shkuar për t’i kthyer japonezët në fenë katolike, u dëbuan nga vendi. Kishat u rrënuan, të krishterët u detyruan ta mohojnë fenë e tridhjetë e pesë mijë prej tyre u masakruan.
Kufijtë u rihapën vetëm dy shekuj më vonë, posaçërisht për tregtinë. Duke përfituar nga ky rast, misionarë të rinj u nisën drejt Japonisë. Ndërmjet tyre, atë Pëtizhâ. Por këtu nuk ka mbetur më në këmbë asnjë Kishë; atë Pëtizhâ nuk ka lejë të kremtojë meshë e japonezët ndalohen të ndërrojnë fe. Kështu Atit Pëtizhâ s’i mbetet tjetër, veçse të presë e të lutet. Më pas i japin lejën të ndërtojë një Kishë: por kujt do t’i shërbejë? Atë Pëtizhâ shpreson me gjithë zemër që feja katolike të mos jetë shuar në zemrat e japonezëve, ndonëse nuk ka asnjë provë që vërteton të kundërtën.Por sot, një ngjarje pazakontë, ia ngjall rishtas shpresat. Ndërsa lutet, dëgjon disa hapa pas shpine. Një grup i vogël njerëzish, të ardhur nga qyteti i afërm Urukami, hyn në maja të gishtrinjve në Kishë. Një grua i thotë me zë shumë të ulët se janë të krishterë e se duan të shikojnë shtatoren e Zojës së Bekuar. Atë Pëtizhâ është i lumtur. I bëjnë aq shumë pyetje, sa nuk e di nga t’ia nisë. Ja, pra, më në fund, fillon edhe misioni i tij. Pak nga pak zbulon gjithë ç’kishte shpresuar: për më se dy shekuj, pa ndihmën e asnjë meshtari, këta njerëz e përcollën fenë nga breznia në brezni, duke i pagëzuar vetë fëmijët e duke u lutur së bashku. E quajnë veten të krishterë dhe e thërresin Jezusin me një emër të çuditshëm: “On ko Jesu Sama”. Ia kremtojnë ditëlindjen vit për vit, pa e ditur në se e bëjnë këtë në datën e duhur. Plot gjëra kanë humbur: Atë Pëtizhâ do të ketë shumë për të bërë. Por gjëja themelore nuk është shuar: feja e tyre. Shumë shpejt Atë Pëtizhâ do të zbulojë disa vende të tjera të krishtera e Kisha japoneze do të rilindë dalë-nga-dalë.
Tani për tani meshtari përpiqet të jetë i kujdesshëm, të mos duket shumë. Vetëm nga fundi i shekullit XIX të krishterët japonezë do të jenë të lirë për ta praktikuar kultin e tyre.







All the contents on this site are copyrighted ©.