2008-09-19 18:07:24

365 ditë: "Domenikanet e Betanisë në shërbim të grave me të kaluar të shqetë".


(19.09.2008 RV)RealAudioMP3 Motra Sofi hap ngadalë portën e qelisë, prej nga del një duhmë e padurueshme.
“Përgatitu, Fani, e shpejto të shkosh tek të tjerat”.
Fani është njëra nga të katërqind të dënuarat e burgut të Kadijakut, në jug-perëndim të Francës. Kushtet e burgut janë të tmerrshme, gjë që e tregon edhe fakti se këtu përqindja e vdekshmërisë është më e lartë se në të gjitha burgjet e tjera franceze. Nuk mund ta quash burg, sepse është kthyer qëkuri në vend-vdekjeje, në skëterrë mbi tokë.
E sotmja nuk është një ditë dosido për Faninë e për të burgosurat e tjera. Kapelani e murgeshat, që merren me burgun, i kërkuan rregulltarit domenikan, Atë Latast, të vijë në Kadijak për të drejtuar ushtrimet shpirtërore.
Sapo hyn në burg, Atë Latast rrënqethet nga pakënaqësia e nga frika. Kushtet në të cilat jetojnë të burgosurat, janë vërtet të tmerrshme e ato vetë, nuk shquhen edhe aq për mikpritje. Gjithsesi, edhe pse nuk i pëlqen fare, Atë Latast duhet t’i drejtojë ushtrimet shpirtërore. Nis të predikojë, por pastaj preket thellë nga fatkeqësia e këtyre grave, i ngushëllon e u flet për një Hyj, që i shikon gjithnjë me dhimbsuri. Ndërmjet të burgosurave, Fani rri kokëulur, me sytë e ngulur përdhe.
“Kujtoni Maria Magdalenën”, vijon meshtari. “Pavarësisht nga mëkati i saj, Jezusi e donte, ashtu si ju do edhe juve”.
Fani nis të qajë në heshtje, në sa dëgjon të flitet për një Zot, që është atë, e jo për një Zot, që është vetëm gjyqtar.
Për katër ditë me radhë, katërqind të burgosurat ndjekin gjithë sy e veshë ushtrimet shpirtërore, të kryesuara nga Atë Latast. Në përfundim të predikimit, domenikani nuk ka prekur një shpirt të vetëm, por më se njëqind.
Meshtari e kupton pse Zoti e ka sjellë në këtë vend: sepse do lumturinë e këtyre grave. Ndërsa njerëzit i dënojnë e i zvetënojnë, Zoti vijon t’i dojë. Atë Latast u propozon vajzave të bashkohen në një vend në të cilin, kur të dalin nga burgu, do të mund ta jetojnë të lira fenë e tyre. Nuk është fjala për themelimin e një kongregate për ish- të burgosurat, por për të jetuar së bashku me gra të tjera, me një të kaluar më pak të trazuar. Atë Latast i fton të ndjekin shembullin e Shën Marisë Magdalenë.
E kështu, më 14 gusht 1866, lind Shtëpia Betania. E nga një shtëpi, lindin edhe shumë shtëpi të tjera, me të njëjtin emër, që vijojnë t’i hapin portat për të burgosurat e liruara në mbarë Evropën. Pëveç rregulltareve domenikane, në këto shtëpi jetojnë gra të plagosura rëndë, e më pas të shëruara nga dashuria e Hyjit, së bashku me të tjera, me një të kaluar më të qetë. Asnjëra nuk e njeh të kaluarën e tjetrës; këtu nuk ka vlerë e kaluara, por e ardhmja!
 







All the contents on this site are copyrighted ©.