2008-09-18 16:19:05

Shtohet uria nëpër botë. Imzot Xhordano: një shkandull i papranueshëm


(18.09.2008 R.V.)RealAudioMP3 Shtohet numri i të uriturve në botë. Alarmi u dha sot nga Zhak Dijuf, drejtor i përgjithshëm i Organizatës për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO) me qendër në Romë. Për shkak të ngritjes së çmimeve të ushqimeve numri i personave pa ushqim në botë ka shkuar nga 850 në 925 milionë. Por cilat janë përgjegjësitë e bashkësisë ndërkombëtare dhe në veçanti të Europës. Mbi këtë në mikrofonin e Radio Vatikanit flet imzot Aldo Xhordano, vëzhguesi i ri i përhershëm i Selisë Shenjte pranë Këshillit të Europës.

Përgjigje: Gjëja e parë do të thosha është se Europa duhet ta marrë seriozisht këtë dramë, sepse ndoshta jemi mësuar t’i dëgjojmë këto numra dhe të mos shkandullohemi. Duhet të ndërgjegjësohemi se nuk është më e pranueshme kjo situatë që shkakton madje edhe me mijëra e mijëra, me miliona viktima. Nga ana tjetër Europa duhet të ripozicionohet në botë dhe të shohë përgjegjësitë që ka kundrejt kontinenteve të tjera.

Pyetje: Shumë emigrantë vijnë në Europë të shtyrë nga uria. Ju pohoni se bota po e ndërron fytyrën e Europës dhe se Europa nuk duhet të mbyllet në vetvete...

Përgjigje: Bota po e redukton gjithnjë e më tepër hapësirën e saj. Bota po bëhet më e vogël. Kështu që nëpërmjet komunikimit, nëpërmjet zhvillimit shkencor dhe mbi të gjitha nëpërmjet emigracionit ne po formojmë këtë të famshmin “fshat global”. E ky reduktim i hapësirës shtron edhe shumë probleme të reja. Për sa kohë bota ishte shumë e madhe, për sa kohë popujt ishin shumë larg, mendonim se kishte hapësirë për të gjithë, se kishte burime natyrore për të gjithë dhe se kishte hapësirë për shumëllojshmërinë kulturore. Por në çastin kur loja nisi të zhvillohet në shtëpinë tonë, atëherë, papritmas vumë re se ekziston problemi i burimeve natyrore, i energjisë, i mjedisit, i ballafaqimit ndërmjet kulturave, problemi i bashkëjetesës ndërmjet kulturave dhe feve.

Pyetje: Që nga 1 shtatori ju jeni caktuar në postin e vëzhguesit të përhershëm të Selisë së Shenjtë pranë Këshillit të Europës. Cilat janë sfidat kryesore?

Përgjigje: Siç e dini, unë kam një përvojë europiane 13-vjeçare si sekretar i Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore të Europës, e jam i gëzuar që mund të vë në shërbim të Kishës këtë përvojë që kam grumbulluar. Sfidat, kërkesat janë që të rizbulojmë krishterimin, pra të kapërcejmë një lloj injorance mbi krishterimin, të gjejmë rrugë për bashkimin e të krishterëve, pra ekumenizmi. Të gjejmë rrugë bashkëpunimi me besimet e mëdha të tjera. Kemi sfidën e urisë, e ky është shkandulli që ne nuk duhet të lejojmë të harrohet. Kemi sfidën e mjedisit e Papa po ngul këmbë kohët e fundit që shtëpia jonë të jetë e banueshme edhe për brezat e ardhshëm.







All the contents on this site are copyrighted ©.