2008-09-18 15:52:09

Në Indi, sulme të tjera kundër të krishterëve. Në mikrofonin tonë ipeshkvi siro-malakarez i Muvatupuzhës


(17.09.2008 RV)Pas valës së dhunës kundër të krishterëve të Orisës në Indi, sulme të reja ka pasur ditët e fundit në shtete të tjera të vendit. Në Karnataka, fondamentalistët hindù sulmuan, të dielën, disa kisha e vende kulti. Një kopësht katolik fëmijësh u sulmua gjithashtu në natën ndërmjet të dielës e të hënës, në një zonë të shtetit të Keralas. Në Mangalore, në jug të Indisë, ka pasur ndeshje me policinë gjatë një manifestimi proteste kundër sulmeve të hinduistëve. U arrestuan mëse 100 vetë dhe autoritetet ndaluan me ligj manifestimet.
Sipas analistëve, motivacionet, që ushqejnë këtë lloj trajtimi ndaj të krishterëve, janë edhe politike e kanë të bëjnë me zgjedhjet e ardhshme, që do të zhvillohen në maj të vitit 2009. Përpjekja e fondamentalistëve ka për qëllim të forcojë ndjenjat patriotike, sidomos në disa shtete, ku partia nacionaliste hinduiste ka më shumë popullaritet. Në këto zona, është edhe më i fuqishëm sistemi i kastave. Të dëgjojmë imzot Abraham Mar Jiulius, ipeshkëv siro-malakarez i dioqezës së Muvatupuzhës:
“Në Karnataka, qeveria aktuale është e administruar në pjesën më të madhe nga eksponentë të partisë politike hinduiste. Ndër to ka edhe disa grupe fondamentaliste: ndoshta duan të imitojnë gjendjen e Orisës e të përsërisin sulmin kundër të krishterëve. Por, më duket se kjo bëhet edhe me një objektiv të qartë politik: në fakt, në Indi, do të zhvillohen zgjedhjet e përgjithshme. Qëllimi është të arrihet konsensusi më i madh në popullsinë hinduiste për zgjedhjet”.
Kisha Katolike në Indi, në disa shtete, has pengesa të shumta për të mbrojtur të drejtat e njeriut e për të nxitur një shoqëri më të mirë. Në veçanti, partitë politike kritikojnë kthimin në krishterim të dalitëve, të cilët për indianët janë jashtë kastave. Sipas fondamentalistëve, këto kthime bëhen përmes mashtrimit, por në të vërtetë pengohen, sepse minojnë në themel sistemin e kastave. Grupet e kastave të larta synojnë kështu të ruajnë gjendjen e nënshtrimit, që sistemi u imponon dalitëve. Por nuk është vetëm Kisha, ajo që kërkon më tepër liri për popullsinë. Edhe vetë Kushtetuta Indiane mbron lirinë e fesë e kthimin në një fe tjetër, siç na shpjegon imzot Abraham Mar Jiulius:
“Bazohemi në Kushtetutën e Indisë, sipas së cilës India është një shtet laik e para ligjit të gjitha fetë janë të barabarta, kanë të njëjtat të drejta. Do të qëndrojmë të qetë, do të kërkojmë që të respektohen të drejtat tona kushtetuese. Jemi gati t’i drejtohemi edhe Gjykatës së Lartë për njohjen e të drejtave tona. Këto sulme nuk na trembin”.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.