Benedikti XVI mbi Piun XII: nuk kurseu përpjekjet për të shpëtuar numrin më të madh
të mundshëm të hebrenjve
(18.09.2008 RV) Benedikti
XVI priti sot paradite pjesëmarrësit e Simpoziumit mbi Papën Piu XII organizuar nga
Fondacioni “Pave the Way”(Pejv dhë uej). Fondacioni është themeluar nga hebreu amerikan,
Geri Krup për të favorizuar marrëdhëniet dhe dialogun ndërmjet feve. Ati i Shenjtë
kujtoi “profilin e lartë njerëzor e shpirtëror” të Piut XII, veprimet e të cilit në
favor të hebrenjve nuk janë parë gjithnjë nën dritën e duhur. Pikërisht sivjet, më
9 tetor, bie 50-vjetori i vdekjes së Papës, që tashmë është Shërbëtor i Zotit, pra
ka filluar procesi i lumnimit të tij. Fondacioni “Pave the Way” paraqiti në Simpoziumin,
që përfundoi dje në Romë, dokumenta të pabotuara, të bazuara mbi tregimet e dëshmitarëve
okularë, të cilët përgënjeshtrojnë akuzat e indiferencës, antisemitizmit dhe bashkëjetesës
me regjimet totalitare, që i janë bërë Piut XII. Këtij pape iu desh të përballojë
situatën e vështirë në të cilën ndodhej bota gjatë Luftës II Botërore e veprimtaria
e tij në favor të hebrenjve nuk mund të ishte gjithnjë e dukshme, për sytë e të gjithëve. Duke
iu referuar dokumentave të Fondacionit “Pave the Way”, Benedikti XVI sqaroi se pikërisht
prej tyre “mësohet se Piu XII nuk i kurseu forcat, aty ku ishte e mundur, për të ndërhyrë
drejtpërdrejt ose përmes direktivave dhënë personave apo institucioneve të Kishës
Katolike në favor të hebrenjve”. Jo pak ndërhyrje të tij – vazhdoi Papa Racinger –
u bënë në fshehtas e në heshtje, pasi vetëm duke marrë parasysh situatat konkrete
të atij momenti të ndërlikuar historik, mund të shmangej më e keqja e mund të shpëtohej
numri më i madh i mundshëm i hebrenjve. Kjo tregohet edhe përmes mirënjohjes së shprehur
më vonë nga vetë hebrenjtë. Benedikti XVI kujtoi audiencën e Piut XII me 80 hebrenj
të mbijetuar nga kampet naziste të përqëndrimit, me 29 nëntor 1945, gjatë së cilës
ata e falenderuan Papën për ndihmën e dhënë. Për impenjimin e madh për të nxjerrë
në dritë faktet e vërteta mbi Papën Piu XII, folëm me jezuitin atë Peter Gympel,
relator i Çështjes së Lumnimit të Shërbëtorit të Zotit: Faktet janë publikuar.
Unë vetë kam dhënë jo qindra, por mijëra intervista. Janë publikuar shumë gjëra mbi
papninë e Piut XII. Është treguar gjithçka ka bërë për të shpëtuar qindra mijëra hebrenj.
Ekziston krejt materiali. Prandaj, jam i kënaqur që një organizatë jo katolike bën
kaq shumë për paqen ndërmjet popujve, ndërmjet fraksioneve në luftë e ndërmjet feve,
e bën me iniciativën e vet e jo të Kishës Katolike, përmes projektit për të hedhur
dritë mbi veprën e Piut XII. Faktet që tregohen nuk janë të reja, por nuk njihen ose
injorohen. I kam studiuar me vite këto gjëra, i njoh e jam çuditur gjithmonë se pse
nuk duan t’i pranojnë. Kjo vlen veçanërisht për muzeun e famshem Jad Vashem në Jeruzalem,
ku është ekspozuar një fotografi e Piut XII jo si kriminel lufte, por si një person
që nuk ka bërë asgjë, me didaskali vërtet ofenduese për ne katolikët. Çfarë
shkruhet në këto didaskali? Ato japin përshtypjen se Papa nuk ka bërë asgjë,
se ka qenë politikan e nuk ka dashur të ndeshet me nazistët. Të gjitha këto, frazë
për frazë, janë të gabuara. E nuk është vetëm opinioni im. Historiografi më i famshëm
hebre, një britanik, sër Martin Xhilbert, që konsiderohet nga vetë hebrenjtë si historiografi
më kompetent për shfaqrosjen e hebrenjve nga nazistët, për Holokaustin, ka shkuar
atje i indinjuar. Dje, në Simpozium, dëgjuam një intervistë të tij, ku thotë se çdo
frazë e shkruar poshtë fotografisë së Piut XII është fallsifikim i historisë.