2008-09-18 16:15:34

Ati i Shenjtë Benedikti XVI u jep zemër popujve të Bosnje-Hercegovinës për të kapërcyer vështirësitë e së kaluarës.


(18.09.2008 R.V.)Sot paradite Benedikti XVI priti në Vatikan ambasadoren e re të Bosnje-Herzegovinës pranë Selisë së Shenjtë, znj. Jasna Krivosiq-Përpiq për paraqitjen e letrave kredenciale. Gjatë takimit Papa vlerësoi përparimet e bërë në ish-republikën jugosllave për konsolidimin e pajtimit si edhe inkurajoi bashkësinë ndërkombëtare për t’i vijuar përpjekjet në ndihmë të këtij vendi. Në fjalën e tij Papa tha se për vetë pozicionin gjeografik që ka, Bosnje-Hercegovina është një përzierje kulturash dhe etnish të ndryshme “me vlera të çmueshme”, që megjithatë , kujtoi Papa për fat të keq në histori kanë qenë shpesh “burime mosmarrëveshjesh dhe fërkimesh”. Për më tepër secili nga tre popujt që përbëjnë këtë vend “e di shumë mirë” se këto dallime kanë qenë “shkaqe konfliktesh dhe luftrash”. “Askush nuk e dëshiron luftën” vuri në dukje Ati i Shenjtë; “asnjë prind nuk dëshiron konflikte për fëmijët e vet, “asnjë grup civil apo fetar nuk do përdorte luftën apo dhunën”. Por “megjithatë, ka kaq shumë familje të Bosnje-Hercegovinës që kanë vuajtur për shkak të këtyre fatkeqësive.” Gjatë takimit pastaj Benedikti XVI tha se “duhet dëgjuar zëri i arsyes”.

“Kam besim shtoi Ati i Shenjtë se duke i pranuar faktet e historisë të këtij rajoni dhe të mësimeve të rënda të viteve të fundit, do të gjendet guximi për të ndërtuar një të ardhme me një ndjenjë të fortë solidariteti.”
Në veçanti Papa porositi që në Bosnje-Hercegovinë të vendoset drejtësia duke çrrënjosur korrupsionin dhe format e tjera të kriminalitetit, të mbështetet një sistem drejtësie i pavarur dhe i paanshëm, si edhe të garantohen mundësi të barabarta punësimi për të gjithë.







All the contents on this site are copyrighted ©.