2008-09-18 15:52:58

365 ditë: “Gregor Mendel, murgu-studiues i gjenetikës".


(17.09.2008 RV)RealAudioMP3 “A e di pse lulet e bizeleve janë të kuqe?”, pyet Gregor Mendeli kopshtarin e kuvendit.
Murgu i ri mendon një ças, për të gjetur përgjigjen. Kështu mendon sa herë e pyet eprori i tij, sepse pyetjet janë gjithnjë të çuditshme e të padëgjuara. Vështron me vëmendje të përqendruar bimët e bizeleve, që po i ujit, por kjo nuk e ndihmon aspak për të gjetur përgjigjen. Edhe këtë herë duhet të dorëzohet.
“Të them të drejtën, nuk e di…”.
“Kam një jetë të tërë që bëj eksperimente”, vijon eprori. “Kam mbjellur mijëra bizele, kamë bërë mijëra vëzhgime, kam shkruar mijëra shënime… Kështu arrita të dëshmoj se kur mbillet një bimë bizeleje, që çel lule të kuqe, kjo bimë e të gjithë pasardhësit e saj: bij, nipa, stërnipa, e kështu me radhë, do të çelin gjithnjë lule të kuqe. Por kur mbillen pranë e pranë një bimë me lule të kuqe e një, që çel lule të bardha, bima që mbin vitin e parë, do të çelë lule të kuqe, por të dytin, ka shumë mundësi që lulet të jenë të bardha”.
“E pastaj? Ç’do të thotë kjo?” - pyet me ndrojtje murgu i ri, krejt i pështjelluar nga ky ngatërrim ngjyrash. “Do të thotë se kur kombinohen dy bimë bizelesh, këto ia transmetojnë disa nga karakteristikat bimëve pasardhëse, por jo të tjerave, e se disa nga karakteristikat dalin në pah vetëm më vonë, në breznitë e mëpasme”.
Kopshtari nuk kupton shumë nga puna e Atë Gregorit. E edhe më pak, kur mendon se ky njeri e ka kaluar gjithë jetën e tij si murg, duke u interesuar kaq shumë për bizelet. Prandaj vendos të pyesë përgjegjësin e bibliotekës, atë Sigjismondin.
Sigjismondi e njeh mirë Gregorin. Qenë të dy njëzet vjeçarë, kur hynë në kuvendin agostinian të Brynit, në Gjermani. Ishte viti 1843.
“A është e mundur që një murg t’i kushtojë ditë e ditë prodhimit të bizeleve?” – e pyet kopshtari Sigjismondin.
“Shkencëtarët kanë shumë pika të përbashkëta me murgjërit” – përgjigjet qetësisht Sigjismondi, “në të dyja rastet duhet të kesh fe të thellë e vëmendje të madhe për hollësirat më të vogla. Si ne, ashtu edhe shkencëtarët, dëshirojmë të vihemi në shërbim të njerëzimit. E Atë Gregori është njëkohësisht shkencëtar e murg”.
Vepra e Gregor Mendelit njihet sot në mbarë botën. Murgu i bizeleve, që i çudiste shpesh sivëllezërit, sot është një nga studiuesit më të rëndësishëm të historisë së njerëzimit në fushën e gjenetikës. Gjenetika është shkenca e cila një ditë, ndoshta, do të krijojë mundësitë për shërimin e disa prej sëmundjeve më të rënda, deri më sot të pashërueshme.







All the contents on this site are copyrighted ©.