2008-09-16 17:28:04

Ipeshkvijtë e Panamasë në vizitë ad Limina në Vatikan


(16.9.2008 RV)Ipeshkvijtë e Panamasë filluan vizitën e tyre ad Limina në Vatikan. Të shumta sfidat me të cilat po përballet Kisha në këtë vend të vogël por të rëndësishëm të Amerikës Qendrore. Mbi to, në mikrofonin e Radio Vatikanit flet Imzot Hoze Luis Lakunxa Maestrohuan, ipeshkëv i Qytetit të Davidit si edhe kryetar i Konferencës ipeshkvnore panameze.
Përgjigje: Në Panama bashkëjetojnë, në mënyrë shkandulluese një rritje ekonomike e jashtëzakonshme, e barabartë me 10 përqind prodhimit të brendshëm lord, dhe një varfëri e skajshme që godet më shumë se 40 përqind të popullsisë. Është një problem shumë serioz dhe si bari nuk mund ta lëmë mënjanë. Një shoqëri që vetëdeklarohet e krishterë dhe katolike (85 përqind e panamezëve thotë se është katolik) nuk mund ta tolerojë këtë situatë padrejtësie, e të themi, të diskriminimit ekonomik. Problemet e tjera janë ato të dhunës që ekziston në shoqërinë tonë, pa anashkaluar të rinjtë, prania e sekteve etj. Nga këndvështrimi kishtar jemi të impenjuar me zbatimin e dokumentit përfundimtar të Konferencës V të CELAM-it, ( Konferenca Ipeshkvnore Katolike e Amerikës Latine) që u zhvillua para një viti në Aparesida, në Brazil. Është fjala për rizgjimin e ndjenjës misionare të Kishës. Duhet kuptuar se Kisha është misionare për kah natyra e saj e kështu duhet kuptuar se të jesh i krishterë i pagëzuar, dishepull i Jezusit, nënkupton medoemos një gjendje misionare të vazhdueshme.
Pyetje: Kisha në Amerikën Latine po përballet me çështjet kyçe të jetës dhe të familjes. Cila është situata në Panama?


Përgjigje: Edhe në Panama sulmohemi, pak a shumë në mënyrë të drejtë. Veçanërisht në dy vitet e fundit ka patur orvatje për të futur në legjislacionin shëndetsor dhe në programet shkollore konceptin e identitetit të seksit dhe propagandën e kontraceptivëve. Është e qartë se shumica e këtyre projekteve janë fryt i udhëzimeve që vijnë nga organe ndërkombëtare ndaj të cilave qeveritë gjunjëzohen për të marrë në këmbim ndonjë lloj ndihme ekonomike. Protestat tona nuk janë vetëm në emër të Kishës por të të gjithë njerëzimit për një respektim më të plotë të individit, të jetës dhe të familjes.







All the contents on this site are copyrighted ©.