2008-09-16 16:59:50

Imzot Ravazi: "Teoria e Darvinit mbi evolucionin nuk është kundër fesë"


(16.09.2008 RV)Teoria e Darvinit mbi evolucionin nuk është kundër fesë. Deklarata është e kryetarit të Këshillit Papnor të Kulturës, imzot Xhanfranko Ravazi, i cili i përgjigjet kështu “mea culpa”-s së Kishës Anglikane, një nga eksponentët e së cilës tha dje se kisha duhet t’i kërkojë falje shkencëtarit të madh për ambientin jo miqësor të krijuar rreth tij dhe teorisë së evolucionit.
Për imzot Ravazin, Darvini nuk është dënuar kurrë nga Kisha Katolike dhe as vepra e tij me famë “Mbi orgjinën e llojeve” nuk ka qenë ndonjëherë ndër librat e ndaluar. Nuk mund të thuhet, theksoi kryetari i Këshillit Papnor të Kulturës, se ekziston “a priori” mospërputhja ndërmjet teorive të evolucionit dhe mesazhit të Biblës e teologjisë”. Imzot Ravazi paraqiti para gazetarëve konferencën, që do të mbahet vitin e ardhshëm nga 3 deri më 7 mars, pikërisht në 150 vjetorin e librit darvinian. Tema e saj: “Evolucioni biologjik: fakte dhe teori. Një vlerësim kritik 150 vjet pas “Origjinës së llojeve””. Kuvendi organizohet nga Universiteti Papnor Gregorian dhe nga Universiteti Notre Dame, nën patronazhin e Këshillit Papnor të Kulturës.
Për të sqaruar më mirë qëndrimin e Kishës Katolike ndaj teorive darviniane, imzot Ravazi kujtoi enciklikën e Piut XII “Humani Generis”, e cila që në vitin 1950 pohonte se Kisha nuk pengon kryerjen e kërkimeve shkencore e diskutimet mbi doktrinën e evolucionit, nga ana e atyre që janë kompetentë “në të gjitha fushat”. Gjithashtu, me diskutimin e tij të famshëm në Akademinë e Shkencave, më 12 tetor 1996, Papa Gjon Pali II pati sqaruar mirë se teoria e evolucionit nuk konsiderohet më “një hipotezë e thjeshtë”, por “një teori që progresivisht është imponuar në qendër të vëmendjes së kërkimeve shkencore”.
Imzot Ravazi u shpjegoi sot gazetarëve në Vatikan se Këshilli Papnor i Kulturës do të impenjohet në mënyrë të veçantë me teorinë e evolucionit dhe kujtoi se dialogu ndërmjet fesë e shkencës mbështetet fuqishëm nga Papa Benedikti XVI. Ky dialog duhet frymëzuar nga “tri virtyte”. I pari është puna kërkimore serioze e jo shkel e shko, që ka për qëllim të kapërcejë paragjykime e stereotipe, arroganca, radikalizma e komplekse inferioriteti. Virtyti i dytë është “përvujtëria”, që në thelb është vetëdija e cakut, për të cilin shkenca e feja nuk janë në kundërshtim. Së treti, optimizmi e besimi tek shkenca, e cila mund ta spastrojë fenë nga supersticioni, ndërsa feja, nga ana e saj, mund të spastrojë shkencën nga të vërtetat absolute fallco, siç pohohet në enciklikën “Fides et Ratio” të Papës Gjon Pali II.







All the contents on this site are copyrighted ©.