(15.09.2008 RV)Ditë e rëndësishme sot në Zimbabve, ku gjatë një ceremonie zyrtare
në Harare, u sanksionua fundi i krizës politike që zgjati 5 muaj pas zgjedhjeve presidenciale.
Presidenti Mugabe dhe lideri i opozitës Cvangirai nënshkruan marrëveshjen e arritur
të enjten e kaluar, pas 8 javë bisedimesh të ndërmjetësuara nga presidenti jugafrikan
Mbeki. Marrëveshja parashikon formimin e një qeverie të bashkimit kombëtar, me kryeministër
Cvangirain, i cili do të marrë në dorë edhe drejtimin e një ministrie strategjike.
Presidenca e vendit i mbetet Mugabes, që do të kontrollojë edhe Këshillin e Ministrave
dhe ushtrinë. Qeveria e re do të përbëhet nga 31 ministra. Gjatë ceremonisë, Cvangirai
bëri thirrje për bashkim, ndërsa Mugabe paralajmëroi vendet e huaja, sidomos Britaninë
e Madhe dhe SHBA-në, të mos ndërhyjnë në punët e brendshme të Zimbabvesë. Bashkimi
Evropian ka vendosur të presë “masa konkrete”, para se të rifillojë ndihmat ekonomike
për vendin afrikan.