Mesha me të sëmurët. Papa: “Kërkoni buzëqeshjen e Marisë, pasqyrim i vërtetë i dhembshurisë
së Zotit, burim i shpresës së pathyeshme".
(15.09.2008 RV)Sot paradite Papa kreu Etapën e katërt e të fundit të Shtegtimit
të Jubileut, duke shkuar për vizitë pranë Oratorit, ku Bernardeta mori kungimin e
parë. Në Lurdë vendi i parë u takon të sëmurëve: prandaj, në këtë vizitë baritore,
nuk mund të mungonte një Meshë kushtuar pikërisht atyre. Shumë fytyra, histori vuajtjesh,
shpesh të heshtura, por edhe shumë dritë misterioze në thellësitë e kësaj errësire.
Papa u dha të sëmurëve përqafimin e Zojës së Dhimbshme, të cilën Kisha e përkujtoi
sot. U kujtoi se edhe Zoja qau tek këmbët e kryqit. Por, vetëpërmbajtja e Zojës –
nënvizoi Ati i Shenjtë - na pengon ta masim humnerën e dhimbjes së saj. E ashtu si
për të Birin, mund të pohojmë se kjo vuajtje e çoi edhe atë drej përsosurisë, duke
e bërë të aftë të pranojë misionin e ri shpirtëror, që ia besoi i Biri. U bë Nëna
e Krishtit dhe e gjithë gjymtyrëve të tij.
"Marie est aujourd'hui dans
la joie et la gloire de la Résurrection ... Maria – vijoi Papa -
është sot në lavdinë e Ringjalljes. Lotët, që derdhi tek këmbët e kryqit, u shndërruan
në një buzëqeshje, që s’mund ta shuajë më asgjë, ndonëse mbetet gjithnjë plot me dhembshuri
amtare për ne. Maria e do secilin nga bijtë e saj, duke e përqëndruar vëmendjen posaçërisht
mbi ata që, ashtu si i Biri në orën e mundimeve, janë pre e vuajtjes; i do në mënyrë
të veçantë, sepse janë bijtë e saj, sipas vullnetit të Krishtit në Kryq”. Papa
e kujtoi Krishtin si mjek të vërtetë, që vuan vetë, për të shëruar të tjerët, që shkon
të banojë në njeriun e pushtuar nga sëmundja, për ta ndihmuar ta durojë e për t’i
hapur rrugën amshimit. Njeriu nuk e mbart më provën i vetëm. Si gjymtyrë e sëmurë
e Krishtit, bëhet një me Atë, që ia fal vetveten Atit, e në Të merr pjesë në lindjen
e krijesës së re.