2008-09-15 18:15:54

Me 15 shtator kalendari Kishtar përkujton Zojën e Dhimbshme


(15.09.2008 RV)RealAudioMP3 Po ndalemi tek tradita e këtij kujtimi liturgjik, duke pasur parasysh se shumë besimtarë e ndjekin me devocion të thellë festën. Ç’ na tregon tradita?

Përgjigje: - Festa që kremtojmë sot lindi nga Urdhëri i Shërbëtorëve të Marisë në shekullin XVII e pikërisht në vitin 1714. Nisi të kremtohej në të dielën e tretë të shtatorit. Me reformën e Piut X, kremtimi u shty më 15 shtator, për t’i lënë hapësirën e duhur liturgjisë të së dielës.

Pyetje: - Cila është domethënia shpirtërore e këtij përkujtimi liturgjik?

Përgjigje: - Domethënia e këtij kujtimi liturgjik mund të kuptohet nën hijen e Lartimit të Kryqit. Festa e dhimbjes së Zojës së Bekuar, nuk ka të bëjë me një dhimbje që dërmon; është dhimbje shëlbuese, që vepron - ashtu si kryqi i Zotit nuk është thjeshtë kryq i atij që vuan, por kryq i Atij që shpëton e që mbart mbi vete peshën e mëkateve të mbarë njerëzimit. Kështu edhe Maria, që merr pjesë në veprën shpërblyese të Krishtit, është nën hije të kryqit dhe e bashkuar me Kryqin e të Birit.

Pyetje: - Maria ishte deri në fund tek këmbët e Kryqit. Askush më mirë se Ajo nuk mund të na mësojë ta marrim mbi supe kryqin tonë e të ndjekim pas Jezusin…

Përgjigje: - Së pari, ky është këndvështrim teologjik. Koncili II i Vatikanit na e përshkruan kështu figurën e Virgjërës Mari pranë kryqit: “Virgjëra Mari eci në shtegtimin e fesë dhe e ruajti të paprekur besnikërinë e saj ndaj të Birit deri në kryq ku, jo pa ndërmjetësinë e planit hyjnor, ndenji duke vuajtur thellësisht së bashku me të Birin, duke bashkëjetuar me shpirtin e nënës, flijimin e Tij e duke e pranuar me dashuri, theroren e flijës që ajo vetë e kishte lindur. E, në fund, nga goja e Birit që po jepte shpirt, dëgjoi fjalët, të cilat e bënë Nënë të të gjithëve: ‘Grua, ja biri yt!’. Prandaj mund të themi se figura e Virgjërës Mari pranë kryqit është ikonë e fuqishme e Asaj që, së bashku me Birin, jo vetëm merr pjesë në shëlbim, por i pranon të gjithë njerëzit si bij në zemrën e vet amtare. E atëherë nuk mund të mos na lindë pyetja: ‘Ç’lidhje ka ndërmjet Virgjërës Mari tek këmbët e kryqit e kryqit tonë?’. Ka shumë lidhje e kuptim. Zoja e Dhimbshme tregon se edhe ne së bashku me Të, mund të marrin pjesë, përmes Kishës, në misterin e shëlbimit të botës, duke e mbartur me Jezusin kryqin tonë të përditshëm.







All the contents on this site are copyrighted ©.