2008-09-15 19:43:23

Kardinali Maisner në Lituani për kremtimin e 400-vjetorit të dukjeve të Zojës së Shiluvës


(15.09.2008 RV)RealAudioMP3 Kardinali kryeipeshkëv i Këlnit, Joakim Maisner, kremtoi dje në Shiluva të Lituanisë, si i Dërguar i Veçantë i Papës Benedikti XVI, Meshën për 400-vjetorin e dukjeve të Zojës. Devocioni marian në Shiluva i ka fillesat në vitin 1457, kur u ndërtua tempulli kushtuar Shën Marisë Virgjër e nisën shtegtimet e besimtarëve. Me reformën e Luterit, kisha u shkatërrua në fund të viteve 1500. Zoja iu duk pak vjet më pas, më 1608, disa barinjve të rinj. U hap një proces hetimor e vazhduan ngjarje të mrekullueshme, që i mundësuan Kishës Katolike të verifikojë vërtetësinë e dukjes e të marrë në dorë terrenin ku u ndërtua një kapelë. Ajo u bë shpejt pikë shtegtimi. Kisha aktuale u ndërtua ndërmjet viteve 1760 dhe 1773 në stil barok e Papa Pali VI i dha titullin e “Bazilikës Minore” në vitin 1974. Gjatë regjimit sovjetik, Shenjtërorja kontribuoi në ruajtjen e fesë, pavarësisht nga përpjekjet e autoriteteve për të bllokuar hyrjen e shtegtarëve. Papa Gjon Pali II shkoi atje në vitin 1993, ndërsa Benedikti XVI dërgoi kardinalin Maisner si përfaqësuesin e vet në Lituani. Të dëgjojmë nga vetë kardinali se si e përjetoi festën e takimin e djeshëm me besimtarët:
Që nga java e kaluar, populli i Zotit, i ndarë në adoleshentë, fëmijë, të rritur, burra e gra, filloi kremtimin e jubileut këtu në Shiluva, në vendin e shtegtimit e të dukjes së Zojës. Dje, u kremtua Mesha përfundimtare, në praninë e 50 mijë besimtarëve, që për Lituaninë është një numër tepër i madh. 400 vjet më parë, Nëna e Zotit u duk këtu në lot para fëmijëve, pikërisht në vendin ku 70 vjet para asaj date ishte fshehur nën tokë një kuti tunxhi e bronzi ku ruhej një fugure mariane, pasi kjo zonë ishte kthyer në protestantizëm. Zoja u duk pikërisht në këtë vend. Një plak lypsar e i verbër, që e mbante mend vendin ku ishte fshehur kutia, ua tregoi të tjerëve. Gërmuan dhe e gjetën fuguren, dhe që nga ajo ditë – flasim për 400 vjet më parë – ky vend u bë pikë referimi për gjithë lituanët. Duhet të kujtojmë se Lituania është kërcënuar gjatë 700 vjetëve nga të gjitha vendet kufitare dhe se ka arritur ta ruajë identitetin e vet kulturor si popull, falë këtij vendi të shenjtë. Ja përse kjo shenjtore është kaq e rëndësishme për këtë popull të vogël.







All the contents on this site are copyrighted ©.