"Ka ardhur koha për t'u kthyer në rrugën e Zotit": kështu Papa Benedikti XVI në përfundim
të udhëtimit apostolik në Francë
(15.09.2008 RV)Papa Benedikti XVI përfundoi udhëtimin e tij apostolik në Francë.
Gjatë ceremonisë së lamtumirës në aeroportin Tarbe-Lurdë, Ati i Shenjtë theksoi se
ndau me ipeshkvijtë francezë “bindjen se ka ardhur koha për kthimin në rrugën e Zotit”.
Benedikti XVI foli për dy pjesët e shtegtimit të tij, etapën e parë në Paris dhe të
dytën në Lurdë. Në mbyllje të përshëndetjes, Papa theksoi: “Zoti kryeministër,
vëllezër ipeshkvij e të dashur miq, Zoti e bekoftë Francën! Në tokën e saj mbretëroftë
harmonia dhe përparimi njerëzor e Kisha qoftë si tharmi në brumë për të treguar me
urti e pa frikë, siç është detyra e saj, kush është Zoti!” Më pas, Ati i Shenjtë
shprehu dëshirën të rikthehet në Francë: “Arriti çasti i ndarjes. A do të mund
të kthehem akoma në vendin tuaj të bukur? Dëshira ekziston, por është një dëshirë
që ia besoj Zotit. Nga Roma do t’ju qëndroj afër e kur të ndalem para Shpellës së
Lurdës në Vatikan, që ndodhet aty që prej mëse një shekulli, do të mendoj për ju.
Zoti ju bekoftë!” Papa u përshëndet nga kryeministri francez Fransua Fijon.