2008-09-14 19:01:19

Papa me ipeshkvijtë francezë flet për misterin e shëlbimit, që realizohet përmes Kishës.


(14.09.2008 RV)Sot pasdite, në sallën që njihet me emrin ‘Hémicycle Ste-Bernadette”, pranë Kishës së Shenjtores, Papa u takua me ipeshkvijtë francezë, të cilëve u foli për shpresat e shqetësimet e Kishës. E ishte pikërisht perspektiva ungjillore dhe teologjike e realitetit të Kishës, që e përshkoi edhe këtë fjalim. Papa theksoi se ndjek me vëmendje të madhe ‘misterin e shëlbimit’, që realizohet përmes misionit të Kishës; e nuk i intereson Kisha si strukturë. Pohoi se i njeh mirë sfidat dhe shqetësimet e ipeshkvijve francezë me të cilët, duke shfrytëzuar këtë rast të madh, reflektoi për problemet e tyre kryesore.
Misioni juaj, posaçërisht shpirtëror – nënvizoi Papa – ka të bëjë sidomos me krijimin e kushteve të nevojshme, që besimtarët ta këndojnë njëzëri, përmes Krishtit, himnin drejtuar Atit qiellor.
E një nga mjetet më të frytshme për t’ia arritur këtij qëllimi, është padyshim katekizmi, që krijon në shpirtin e çdo të pagëzuari, dëshirën për t’u takuar me Zotin e për ta gjetur tek Ai kuptimin e jetës.
Ati i Shenjtë u ndalua edhe tek kujdesi për shtimin e thirrjeve meshtarake, duke theksuar me forcë rolin e pazëvendësueshëm të meshtarisë e të meshtarit në bashkësinë kishtare. Meshtarët nuk mund t’i lënë funksionet e tyre të posaçme në dorë të besimtarëve – porositi Papa, e në vijim kujtoi se kulti liturgjik është shprehja më e lartë e jetës meshtarake dhe ipeshkvnore, ashtu si edhe mësimi katekistik. E në këtë drejtim Ati i Shenjtë ripohoi se mund të përdoret si Meshari i të Lumit Gjoni XXIII (1962), ashtu edhe ai i Palit VI (1970).
Më pas Ati i Shenjtë preku një nga temat më delikate, sfidë e rëndësishme për Kishën franceze, ashtu si edhe për Kishën universale: atë të familjes, e cila sot duhet të përballojë vështirësi jo të pakta, që e pengojnë në misionin e saj, duke nisur nga ligjet, që përpiqen më shumë t’u përshtaten shijeve të individëve e të grupeve të veçanta, se sa të vihen në shërbim të së mirës së përgjithshme. Ati i Shenjtë ritheksoi me forcë se familja, parë si bashkim i një burri me një grua, të cilët mirëpresin fëmijët që u falë Zoti, është baza mbi të cilën mbështetet gjithë shoqëria e, jo më pak, edhe qelizë e gjallë e Kishës. Prandaj i porositi ipeshkvijtë t’i mbrojnë parimet, që përbëjnë forcën e madhështinë e sakramentit të martesës, edhe në se do t’u duhet të shkojnë kundër rrymës, me bindjen se Kisha nuk ia ka caktuar vetes këtë mision, por e ka marrë nga Zoti, si dhe t’u qëndrojë pranë familjeve në vështirësi.
Një ftesë tjetër e Papës drejtuar ipeshkvijve është të kujdesen për të rinjtë, të cilët Kisha duhet t’i ketë në qendër të vëmendjes, në një botë që nxit instinktet e tyre të ulta, e t’u kujtojë gjithnjë se lëshimet morale nuk e bëjnë njeriun të lumtur.
Benedikti XVI u ndal edhe tek një nga shqetësimet më të mëdha të kohës: ruajtja e identitetit të veçantë të Kombeve, të cilat nuk duhet të lejojnë të zhduken veçoritë dhe identiteti i tyre. Përkundrazi, duhet t’i kushtojnë vëmendje të dorës së parë ruajtjes e zhvillimit të mëtejshëm të kulturës së tyre, pa lejuar që të shkrihet me të tjerat ose të sheshohet fare, sepse Kombet ekzistojnë përmes kulturës e për kulturën. Në kuadrin institucional ekzistues, e duke respektuar plotësisht ligjet, duhet gjetur një rrugë e re për t’i interpretuar e për t’i jetuar çdo ditë vlerat themelore, mbi të cilat bazohet identiteti i kombit.
Së fundi Papa preku edhe temën e dialogut ekumenik dhe ndërfetar, duke porositur të punohet për ndërtimin e urave ndërmjet traditave kishtare kristiane dhe për dilogun me traditat e tjera fetare, që dëshirojnë ta njohin reciprokisht njëra-tjetrën, me bindjen se injoranca shkatërron, më shumë sesa ndërton.
Duke kujtuar vizitën e tij në Francë, një vit para zgjedhjes në Selinë e Shën Pjetrit, për të kryesuar ceremonitë përkujtimore me rastin e 60-vjetorit të zbarkimit në Normandi, kur Franca kremtonte ditën e çlirimit nga pushtuesit, Papa theksoi me forcë se tani duhet punuar për çlirimin shpirtëror, sepse njeriu ka gjithnjë nevojë të çlirohet nga frika e tij e nga mëkatet e tij. Njeriu duhet të mësojë vazhdimisht se Zoti nuk është armiku i tij, por Krijuesi plot me mirësi; duhet ta dijë se jeta e tij ka një kuptim, se në përfundim të rrugës tokësore, pritet të marrë pjesë në lavdinë e Krishtit në qiell!







All the contents on this site are copyrighted ©.