2008-09-14 19:50:47

Benedikti XVI gjatë Procesionit Eukaristik : “Mos e kundërshtoni dashurinë e Krishtit!”.


(14.09.2008 RV)Pas takimit me ipeshkvijtë, Benedikti XVI mori pjesë, si shtegtar në mes të shtegtarëve, në Procesionin Eukaristik, që përfundoi në Prairie di Lourdes, apo në Livadhet e Lurdës, rreth 9 hektarë tokë, përballë Shpellës dhe Kishës kushtuar Shën Bernardetës. Këtu, në mes të blerimit, në tribunën-elter, ngritur për kremtime meshësh, lutjesh e reflektimesh, mbuluar me një ‘Velum’, apo tendë, Papa kremtoi përfundimin e Procesionit Eukaristik.
Ati i Shenjtë i ftoi të gjithë të kundrojnë Krishtin, atë që ua dhuroi Korpin e Gjakun e vet nxënësve të tij, për të qenë me ta gjithnjë, deri në fund të fundit të botës. E në këtë kundrim, të kujtojnë se Ai e dëshiron jetën tonë, që ta bashkojë me të Tijën. Lëreni veten t’ju pushtojë – bëri thirrje Papa. - Mos shikoni më plagët tuaja, por të Tijat. Mos shikoni ç’ju ndan nga Krishti e nga të tjerët, por distancën e pafundme që Ai e shleu, duke marrë korpin njerëzor, duke u ngjitur në kryqin që ia përgatitën njerëzit e duke e lënë veten të kryqëzohej, për dashuri. Ai të pret në plagët tij, të fsheh në plagët e tij! Mos e kundërshto dashurinë e tij!”.
Jezu Krishti është i pranishën - vijoi Papa – e Eukaristia është Jezusi i sotëm, por edhe Jezusi i ardhshëm, Jezu Krishti që do të vijë. Kur kundrojmë Hosten Shenjte, Korpin e tij të lumnuar, të shndërruar e të ngjallur, kundrojmë atë, që do ta kundrojmë në amshim e kumtojmë se Ai do të vijë!
Disa nga ne – shpjegoi Papa – nuk mund ta marrin ende sakramentin, por mund ta kundrojnë me fe e dashuri e të shprehin, më në fund, dëshirën të bashkohen me Të!
Benedikti XVI e përfundoi meditimin me një lutje të të Lumit Sharl de Fuko, që mund ta thotë çdo besimtar para Hostes Shenjte:

“Ati im, në duart tua po e lëshoj shpirtin!”.
Është lutja e fundme e Mësuesit tonë, e të dashurit tonë…
U bëftë edhe lutja jonë, e jo vetëm lutja e çastit të fundit, por lutja e çdo çasti.
Ati im, jam në duart tua! Atë, ta besoj gjithë vetveten! Atë, të përkas me gjithçka; Atë, bëj me mua atë që dëshiron; jam gati, pranoj gjithçka. Të falënderoj për gjithçka. U bëftë vullndesa jote mbi mua e mbi të gjitha krijesat, mbi të gjithë bijtë e tu, mbi të gjithë ata, që zemra jote i do!
Po e lë në duart e tua shpirtin tim; po ta dhuroj me gjithë zemër, sepse të dua pa masë, me besim të pafundmë, Ty, që je Ati im”.

Benedikti XVI e përfundoi ditën e parafundit të shtegtimit të tij apostolik në Francë, në Eremitazhin e Shën Jozefit, ku po pushon, për të rifilluar, nesër veprimtaritë, me etapën e katërt të Shtegtimit Jubilar. Ati i Shenjtë do të vizitojë Oratorin e spitalit e më pas, në Bazilikën e Zojës Rruzare, do të kremtojë Meshën për të sëmurët.







All the contents on this site are copyrighted ©.