2008-09-14 18:48:29

365 ditë: "I Lumi Anton Shevrje, prifti lypës".


(14.09.2008 RV)“E çuditshme, apo jo Adelaide?”.
“Do të shtoja diçka më shumë: gjë që të lë pa mend”.
Duke dalë nga Mesha, një të premte të vitit 1861, dy zonja të moshuara zgurdullojnë sytë. Para kishe është një lypsar, i veshur si prift.
“Hera e parë që shikoj një prift duke kërkuar lëmoshë!”.
“Edhe unë Adelaide. Ky është kulmi! E ku, në Lion! Po ku ta dish, ndoshta është veshur tebdil si prift?”.
“Ose ndoshta është prift i vërtetë, që kërkon lëmoshë për ndonjë qëllim të veçantë. Por ç’ hall të ketë, vallë?”.
“Të shkojmë e ta pyesim, se po vdes nga kureshtja!”.
Dy zonjat i afrohen priftit.
“Zotëri, për kë po kërkon lëmoshë?”.
“Për të varfërit”.
“Po a nuk mund ta bëjnë këtë ata vetë?”.
Meshtari mezi e mban gazin.
“Kam vendosur të jetoj me ta, ta njoh Zotin si ata, atje ku jetojnë. Prandaj mund edhe të kërkoj lëmoshë, për ta”.
“Ah, tani e kuptova si është puna! Mos jeni atë Anton Shevrje?”.
‘Po zonjë, dora vetë!”.
“Eleonora, sigurisht do të kesh dëgjuar të flitet për atë Shevrjenë, apo jo? Jeton me punëtorët e varfër në rrethinat e Lionit. Po rrugët jashtë qytetit janë vende të rrezikshme: përplot me mendjezinj, pijanikë, hajdutë…”.
“Zonja të dashura, nuk janë aspak mendjezinj; janë thjeshtë të varfër, njerëz që nuk kanë gjë prej gjëje, as Zotin: shumë prej tyre nuk e njohin fare. Prandaj kam hapur për ta shkolla, që t’u mësoj të lexojnë e të shkruajnë e, sidomos, të njohin Zotin, gjëja më e rëndësishme”.
“Sa për këtë, Zotëri, jemi një mendje me ju. Por, ... ndoshta… janë edhe fjalë… kemi dëgjuar se keni hapur një shkollë, në një vend paksa të çuditshëm, në një sallë balloje?”.
“Pikërisht kështu. Ndreqa një sallon të vjetër, që përdorej për festa, Pradon. E tani atje është ngritur një shkollë shumë e mirë! Vetëm se të rinjtë, që ndjekin shkollën, duhen sistemuar në dhomat e tyre, duhen ushqyer, duhen ngrohur, duhen… e për t’i bërë gjithë këto gjëra, duhen shumë shumë para…!”.
“Pse nuk i vë djemtë në punë? Një mik imi drejton një fabrikë pëlhurash. Ka gjithnjë nevojë për punëtorë. Mund t’i çoni atje miqtë tuaj e t’u krijoni mundësinë të fitojnë para”.
“Ju falënderoj, zonjë, por ma kanë propozuar tashmë këtë rrugë. Veç nuk duhet harruar se shkollimi duhet të jetë falas. Të gjithë të rinjtë kanë të drejtë të mësojnë, pa pasur nevojë të paguajnë. Më pëlqen më shumë të kërkoj lëmoshë, sesa t’i detyroj djemtë të punojnë, për të paguar shkollën. Kanë mjaft kohë për të punuar!”.“Atëherë urime, Zotëri!”, thonë dy zonjat, duke zbrazur portofolat në dorën e priftit lëmoshtar; varfanjakut që, pas vdekjes, do të shpallej i lum nga Gjon Pali II në Lion, më 4 tetor 1986.







All the contents on this site are copyrighted ©.