2008-09-13 18:17:48

Të jesh apostull, do të thotë ta kumtosh me gëzim Krishtin në botë.


(10. 09. 2008 RV)Të dashur vëllezër e motra,

Të mërkurën e kaluar fola për kthesën e madhe në jetën e Shën Palit, pas takimit me Krishtin e ngjallur. Jezusi hyri në jetën e tij dhe e shndërroi nga persekutes, në apostull. Ku takim shënoi fillimin e misionit të tij: Pali nuk mund të jetonte si më parë, tani e ndjente veten të ngarkuar nga Zoti me detyrën për të shpallur Ungjillin e tij, si apostull. E pikërisht për këtë mënyrë të re jetese, kur ai u bë apostull i Krishtit, dua t’ju flas sot. Ne zakonisht, duke ndjekur Ungjillin, i njohim të Dymbëdhjetët me titullin e apostujve, duke kuptuar me këtë fjalë, ata që ishin shokët e jetës së Jezusit dhe që dëgjonin mësimin e tij. Por edhe Pali e ndjen veten apostull e duket qartë, prandaj, se koncepti i Palit mbi apostullimin nuk kufizohet vetëm tek grupi i të Dymbëdhjetëve. Pa dyshim ai di ta dallojë mirë rastin e tij nga i atyre, që kishin qenë apostuj para tij (Gal 1,17): atyre u njeh një vend krejt të posaçëm në jetën e Kishës. E megjithatë, siç e dinë të gjithë, edhe Shën Pali e quan veten Apostull në kuptimin më të ngushtë të kësaj fjale. Sigurisht që, në kohën e bashkësive të para të krishtera, askush nuk përshkoi më shumë kilometra se ai, nëpër tokë e nëpër det, gjithnjë me një qëllim të vetëm: të kumtonte Ungjillin.

 
Pra Pali kishte për apostullimin një koncept më të gjërë, se ai që lidhej me grupin e të Dymbëdhjetëve, koncept që e ndeshim kryesisht tek Shën Luka në Veprat (cfr Vap 1,2,26;6,2). Në të vërtetë, në Letrën e parë drejtuar Korintianëve, Pali i dallon qartë të ‘Dymbëdhjetët’ nga ‘të gjithë apostujt’, duke i përmendur si dy grupe të ndryshme, që patën fatin të jenë dëshmitarë të dukjeve të të Ngjallurit (cfr 14,5.7). Në të njëjtin tekst, më pas, ai e quan përvujtërisht vetveten si ‘më i fundmi i apostujve’, duke e krahasuar deri me një dështak e duke pohuar tekstualisht: “Unë nuk jam i denjë as të quhem apostull, sepse e kam salvuar Kishën e Krishtit. Por në saje të hirit të Hyjit, jam ky që jam, dhe hiri i tij në lidhje me mua, nuk ka qenë i kotë; madje u mundova të veproj më shumë se të gjithë ata, jo unë vetëm, por edhe hiri i Hyjit me mua” (1 Kor 15,9-10). Metaforën dështak, përmes së cilës shprehet kulmi i përvujtërisë, e gjejmë edhe në Letrën drejtuar Romakëve nga Shën Injaci i Antiokisë: “Jam më i fundmi i të gjithëve, jam dështak; por do të më jepet hiri të jem diçka, në se arrij tek Zoti” (9,2). Këtë, që thotë Ipeshkvi i Antiokisë lidhur me martirizimin e tij të afërt, duke parashikuar se ai do ta përmbysë gjendjen e tij si njeri i padenjë, Shën Pali e thotë lidhur me detyrën e tij apostolike: në të gjen shprehjen fekonditeti i hirit të Hyjit, që di ta shndërrojë një njeri të papërkryer, në një apostull të shkëlqyer. Nga persektues, në themelues Kishash: këtë bëri Hyji me një, që në pikëpamje ungjillore, mund të shikohej si fundërri!

Po cili është koncepti i dytë i Shën Palit, ai që i bën atë e të tjerët apostuj? Në Letrat e tij duken tri karakteristikat themelore, që duhet t’i ketë apostulli. E para është ‘të ketë parë Zotin’(cfr. 1 Kor 9,1), dmth të ketë pasë me Të një takim vendimtar për jetën e vet. Edhe në Letrën drejtuar Galatëve (cfr 1, 15-16), do të thotë se ishte i thirrur, pothuajse i zgjedhur, me hirin e Hyjit, të cilit i pëlqeu t’i zbulonte Birin e vet, për ta shpallur ndër paganë. Si përfundim, mund të themi se apostullimin e krijon Zoti, jo hamendja vetjake. Apostull nuk bëhesh vetvetiu; është Zoti ai që të bën të tillë; prandaj apostullimi ka nevojë për lidhje të përhershme me Zotin. Jo më kot Pali thotë se është ‘i thirrur për të qenë apostull’ (Rom 1,1), dmth jo nga ana e njerëzve, as nga ana e një njeriu, por nga ana e Jezu Krishtit dhe e Hyjit Atë” (Gal 1,1). Kjo është karakteristika numër një: ta kesh parë Zotin, të jesh i thirrur prej Tij.

Karakteristika e dytë është ‘të jesh i dërguar’. Vetë termi grek ‘apóstolos’ do të thotë pikërisht ‘i dërguar’, dmth ambasador, mbartës i një mesazhi; ai që duhet të veprojë si i dërguar e përfaqësues i dikujt. Prandaj Pali e quan veten ‘apostull i Jezu Krishtit’ (1 Kor 1,1; 2 Kor 1,1), dmth delegat i tij, i vënë plotësisht në shërbim të tij, aq sa të quhej edhe ‘shërbëtor i Jezu Krishtit’(Rom 1,1). Edhe një herë del në plan të parë ideja se nisma është e dikujt tjetër, e Hyjit në Jezu Krishtin, të cilit i detyrohesh plotësisht; por sidomos nënvizohet fakti se mori një mision, të cilin duhet ta kryejë në emër të tij, duke vënë plotësisht në plan të dytë çdo interes vetjak.
Karakteristika e tretë ka të bëjë me ushtrimin e ‘kumtimit të Ungjillit’, e si pasojë, me themelimin e Kishave. Titulli i ‘apostullit’ nuk është e nuk mund të jetë titull nderi. Ai e impenjon konkretisht e edhe dramatikisht gjithë qenien e subjektit përkatës. Në Letrën e parë drejtuar Korintianëve, Pali thotë: “Po unë, a nuk jam apostull? Po a nuk e pashë Jezusin, Zotin tonë? A nuk jeni ju vepra ime në Zotin?’ (9,1). Po kështu në Letrën e dytë drejtuar Korintianëve, pohon: “Letra jonë jeni ju…, letra e shkruar prej Krishtit, e shkruar jo me bojë, por me shpirtin e Hyjit të gjallë” (3,2-3).

 
Nuk na çudit, prandaj, fakti që Gjon Krizostomi flet për Palin, si për ‘një shpirt prej diamanti” (Panegirici, 1,8), dhe vijon të thotë: “Ashtu si zjarri, kur i shtojmë materiale të ndryshme, ndizet më shumë, kështu edhe Pali, me fjalën e tij, i fitonte për çështjen e vet të gjithë ata, me të cilët lidhej, e edhe ata, që e luftonin, të cilët pushtoheshin nga fjalimet e tij e bëheshin ushqim i ri për këtë zjarr shpirtëror” (ibid., 7,11). Kjo shpjegon pse Pali i quan apostujt ‘bashkëpunëtorë të Hyjit’ (1 Kor 3,9; 2 Kor 6,1), hiri i të cilit vepron me ta. Një element tipik i apostullimit të vërtetë, që vihet mirë në dukje nga Shën Pali, është një lloj njësimi i Ungjillit me ungjillëzuesin, që të dy të paracaktuar për të njëjtin fat. Askush, si Pali, nuk e vuri kaq me forcë në dukje se kumtimi i kryqit të Krishtit duket si ‘shkandull e marrëzi’ (1 Kor 1,23), e se shumkush e keqkupton ose nuk e pranon. Kjo ndodhte asokohe e nuk është për t’u çuditur në se e njëjta gjë ndodh edhe sot. Fatit që të dukej ‘shkandull e marrëzi’, nuk do t’i shpëtonte as Pali Apostull, i cili e di mirë këtë: kjo është pervoja e jetës së tij. Korintianëve u shkruan, jo pa një hije ironie: “E pra unë mendoj se Hyji ne, apostujve, na vuri në vendin e fundit, si të dënuar për vdekje, sepse u bëmë lojë për botën, për engjëjt e për njerëzit. Ne të marrë për shkak të Krishtit, ju të urtë në Krishtin; ne të dobët, ju të fortë; ju të nderuar e ne të përbuzur. Deri tani s’ngihemi me bukë as me ujë, jemi të zhveshur e të shtypur, të paplang e të pashtëpi, lodhemi duke punuar me duart tona. Na shajnë, e ne flasim mirë për ta. Na salvojnë, e ne durojmë; na shpifen e ne ngushëllojmë. U bëmë deri më sot, si fundërritë e botës, porsi plehrat e gjithkujt”(1 Kor 4,9-13). Është autoportreti i jetës apostolike të Shën Palit: ndërmjet gjithë këtyre vuajtjeve, mbizotëron gëzimi se është mbartës i bekimit të Hyjit e i hirit të Ungjillit.

 
Sidoqoftë, Pali ka të përbashkët me filozofinë stoike të kohës së tij, idenë e qëndrimit të palëkundur në mes të vështirësive që has; por ai e kapërcen perspektivën thjeshtë humanistike, duke rikujtuar se i përket Hyjit në Krishtin: “Kush do të na ndajë prej dashurisë së Krishtit? Vështirësia? Ngushtica? Salvimi? Uria? Lakuriqësia? Rreziku? Shpata? Sikurse është në Shkrimin Shenjt: Për shkak tënd na vrasin si një ditë për ditë, na çmojnë porsi dele të caktuara për t’u prerë. E prapëseprap, në të gjitha këto, jemi më se ngadhënjyes, në saje të Atij që na deshi. Jam plotësisht i bindur se as vdekja, as jeta, as ëngjëjt as pushtetet, as e tashmja, as e ardhshmja, as fuqitë, as lartësitë as humnerat e asnjë krijesë tjetër, nuk do të mund të na ndajë prej dashurisë së Hyjit, që na u dëftua në Jezu Krishtin, Zotin tonë” (Rom 8,35-39). Kjo është siguria. Gëzimi i thellë që i prin apostullit në gjithë këto ngjarje: asgjë nuk nuk do të mund të na ndajë prej dashurisë së Hyjit. E kjo dashuri është pasuria e vërtetë e jetës njerëzore.

Siç shihet, Shën Pali e kishte vënë gjithë jetën në shërbim të Ungjillit; mund të themi ‘njëzet e katër orë mbi njëzet e katër’. E kryente detyrën e tij me besnikëri e me gëzim, ‘për të shpëtuar me çdo kusht ndonjërin’(1 Kor 9,22). E përsa u përket Kishave, ndonëse e dinte se kishte me ta një lidhje atësie (cfr 1 Cor 4,15), madje edhe amësie (cfr Gal 4, 19), vihej plotësisht në shërbim të tyre, duke deklaruar në mënyrë të admirueshme: “Ne nuk duam të sillemi si pronarë të fesë suaj, por jemi bashkëpunëtorë të gëzimit tuaj” (2 Kor 1,24).
E ky vijon të jetë misioni i të gjithë apostujve të Krishtit, në të gjitha kohët: të jenë bashkëpunëtorë të gëzimit të vërtetë.







All the contents on this site are copyrighted ©.