2008-09-13 20:19:18

Papa në Shpellën e Dukjeve të Vigjërës Mari: nga Lurda buron drita, që ndriçon botën


(13.09.2008 RV)Masabielë në dialektin bogordin do të thotë ‘shkëmb i vjetër’. E këtu është edhe vendi ku u duk Zoja, që përbën zemrën e Shenjtërores, e cila rrethohet nga 22 vende të tjera kulti, ngritur në një sipëfaqe me shtrirje 52 hektarë. Po kujtojmë vetëm disa prej tyre, si Burimet, Pishinat, Udhën e Kryqit, Udhën monumentale të Kryqit prej mermeri për të sëmurët, vepër skulptores hungareze Maria de Faikod, Muzeun liturgjik, shtatoren e Zojës së Kurorëzuar, Muzeun e Shën Bernardetës, Muzeun e mrekullive etj, etj.
Në këtë vend, para shtatores së Zojës Lurdë, skalitur nga Fabish sipas rrëfimit të Bernardetës, gjatë 150 vjetëve u lartuan pesë elterë, sipas kërkesave liturgjike e shijeve të kohës. Elteri i parë u shugurua më 21 maj 1866 nga ipeshkvi i asokohshëm, Imzot Lorens, njëkohësisht me përurimin e hekurudhës. Të pranishëm, Bernardeta 22 vjeçare, 300 meshtarë e 40 mijë shtegtarë. Pas këtij elteri, u ngritën edhe katër të tjerë, realizuar me materiale të çmuara e me shumë stoli, punuar nga argjendarë me famë botërore.
Por kur u kremtua 100-vjetori i dukjeve të Zojës, ipeshkvi i Lurdës, imzot Pierr-Mari Teas, që përgatiti kremtimet, vendosi t’i rikthente Shpellës thjeshtësinë e parë. Stolitë e tepruara u hoqën, për t’u ruajtur në muzeun liturgjik. Ndërsa elteri i vendosur me rastin e 50-vjetorit të dukjeve të Zojës, iu dhurua Vatikanit dhe u vendos në zemër të Kopshteve të famshme, në një vend që i përngjet plotësisht Shpellës së Masabielës.
Prekja e fundit, në përkim me ndryshimet e thella të liturgjisë dhe me kërkesat e nevojshme për hyrjen e të sëmurëve në Shpellë, u bë në vitin 1958.
Kujtojmë se tema e 150-vjetorit të dukjeve të Zojës në Lurdë, është “Zoti - shkëmbi im” e se elteri aktual, i shuguruar më 20 prill 2004, nga kardinali francez, Pol Pupar, asokohe Kryetar i Këshillit Papnor të Kulturës, është një copë shkëmb i sitilizuar, shkëputur nga Pirenejt.
Këtë pamje ka sot Shpella, të cilën Papa e vizitoi rreth orës 19. 50, i shoqëruar nga imzot Perrier, nën një shi i imtë vjeshtarak. Ati i Shenjtë hyri në Shpellë për etapën e tretë e shtegtimit jubilar e, ndërsa kalonte para Burimit, një vajzë e re i mbushi një gotë me ujë nga gurra. Papa ndezi një qiri, që u vendos në një shandan të madh dhe më pas u gjunjëzua në heshtje, para se të lexonte lutjen e etapës së tretë të shtegtimit jubilar. Lutja u pasua prej ‘Magnificat’, kënduar nga kori.
Pastaj orës 20. 15 Benedikti XVI shkoi në Eremitazhin e Shën Jozefit. Këtu kaloi darkën e më pas u nis drejt kompleksit të shenjtëroreve, ku e prisnin mijëra shtegtarë, për të filluar procesionin ‘aux flambeaux–me qirinj të ndezur, tradicional për Lurdën. Por ndërsa Lurda nis të ndriçohet nga mijëra qirinj, që duken si yje të rëna nga qielli, programi ynë përfundon, duke ju ftuar të ndjekim së bashku ditën e tretë të shtegtimit apostolik të Papës, i cili nesër do të kryesojë Meshën e Madhe për 150-vjetorin e dukjeve të Zojës në Lurdë, do të takohet me Ipeshkvijtë dhe do të përfundojë procesionin eukaristik.







All the contents on this site are copyrighted ©.