2008-09-13 19:34:25

Lurda, vendi i mrekullive!


(13.09.2008 RV)Lurda, në jug-perëndim të departamentit të Pirenejve të Epra, e mbyllur në një rrafshinë natyrore, ndërmjet shpateve të vargmaleve, ka sot 15.203 banorë. E vendosur në një lartësi 420 metra, është nyja qëndrore, prej nga përhapen, si rreze, pesë lugina, të cilat zbrezin drejt fushës. Në jug, Pirenejtë lartojnë kreshtat deri në lartësinë 3. 298 metra e, përballë qytezës të bien menjëherë në sy maja e Beu, me tre kryqe dhe maja e Grand Zher, me një kryq vigan, që dallohet nga larg. Lurda përshkohet nga lumi Gave, që ushqehet nga dy përrenj.
Zona nis të banohet që në epokën e gurit, siç e dëshmojnë gjetjet arkeologjike në shpellën e ‘Espelyzhës’, që ruhen në Muzeun Pireneian, pranë Kështjellës së Lurdës.
Galët, romakët, barbarët, maurët, vijuan njëri-pas-tjetrit t’i fortifikonin shkëmbijtë e Lurdës, ku u ngrit kështjella, për të cilën tregohet edhe sot një gojëdhënë, me zanafillë nga vitit i largët 778, kur Karli i Madh u ndesh me prijësin e saraçenëve Mirat, por nuk mundi ta pushojë këtë pikë kaq strategjike në maje të maleve. Atëherë Karli i propozoi Miratit t’ia dorëzojë kështjellen, jo atij, por Mbretëreshës së qiellit. Legjenda vijon të tregojë se si kreu i maurëve u bind, i uli armët tek këmbët e Zojës zeshkane të Pyi dhe u pagëzua. Ditën që u pagëzua, Mirati mori emrin Lorus i cili, me kalimin e kohës dhe me pak ndryshime, u bë emri i qytezës, që u quajt Lurdes.
Më 1858 Lurda ishte një vend i qetë, me 4 mijë banorë. Po historia e saj do ta ndërronte krejtësisht rrjedhën, për shkak të një ngjarje të papritur, të mrekullueshme, që do t’i ndodhte një vajze katërmbëdhjetë vjeçare. Quhej Bernardetë Subiru e nuk dinte shkrim, as këndim. Madje nuk e kishte marrë akoma as kungimin e parë. Pikërisht kjo vajzë, fare e panjohur, sheh një ditë, në një nga kamaret e gërryera nga koha në shkëmb të gjallë, ‘një zonjë të bukur’, të rrethuar me dritë, që e shikon e i buzëqesh’. Është dukja e parë, që do të ndiqet nga 17 të tjera. Më 4 korrik 1866, Bernardetë largohet nga Lurda për në Nevers, ku bëhet murgeshë në kuvendin e Shën Zhildardit. Vdes në kuvend më 16 prill 1879, pasi pati kaluar 16 vjet në heshtje e lutje. Ishte 35 vjeçe. Trupi i saj, i zhvendosur disa herë, u gjet vazhdimisht i pakalbur. E ashtu, edhe sot, kur Lurda e saj është bërë një nga qendrat më të mëdha ndërkombëtare të përshpirtërisë mariane. Çdo vit këtu rrajnë më se gjashtë milionë shtegtarë, vetëm ose me grupe, e shpesh duke ndjekur një kalendar vjetor, që parashikon shtegtimet kombëtare, rinore, sipas moshave, kategorive profesionale etj, etj. Shtatë mijë vullnetarë e 100. 000 shoqërues të shtegtimeve të ndryshme merren me mikpritjen e shtegtarëve, një pjesë e mirë e të cilëve janë të sëmurë, të gjymtë, të plagosur në trup e në shpirt nga trazimet e jetës. Shërbimin shpirtëror e kryejnë 30 kapelanë, që u përkasin katër kongregatave, ardhur nga dioqeze të ndryshme; shërbimin shëndetësor, 5 bashkësi rregulltare dhe një shoqatë shekullare.







All the contents on this site are copyrighted ©.