2008-09-12 18:17:03

Takimi i Benediktit XVI me botën e kulturës në Paris. Lectio magistralis mbi teologjinë perëndimore e zanafillën e kulturës evropiane.


(12.09.2008 RV) Pasdite Papa u takua me botën e kulturës në Kolezhë de Bernardë të Parisit. Në sallën e Kolegjit ishin të pranishëm 770 përfaqësues të kulturës franceze. Të ftuar, edhe drejtues të UNESCO-s, të Bashkimit Evropian, si dhe disa përfaqësues të bashkësisë myslimane të Francës. Takimi nisi me përshëndetjen e kryeipeshkvit të Parisit, kardinalit Vënt-Trua e vijoi me përshëndetjen Kancelarit të Institutit të Francës. Më pas e mori fjalën Benedikti XVI.

Nuk është e lehtë të përmblidhet ky fjalim i Papës, mbajtur në një vend simbolik si Kolezhë de Bernardë. Kuvend i lashtë, i lidhur me kulturën monastike, ku jetuan njerëz që u përpoqën ta kuptojnë thellë thirrjen e tyre e ta jetojnë sa më mirë misionin. Por, a na intereson ende sot kjo përvojë, apo tashmë i përket plotësisht së kaluarës? Për Papën, kjo përvojë, dmth kërkimi i Zotit, është pjesë përbërëse e origjinës së teologjisë perëndimore dhe e rrënjëve të kulturës evropiane, kulturë pluraliste, e zhvilluar në përkim me procesin dinamik që kryhet në histori e në bashkësinë njerëzore. Por – vëren Benedikti XVI – murgjërit nuk patën qëllim të krijojnë një kulturë të re, e as ta ruajnë atë të së kaluarës:
Leur objectif était de chercher Dieu, quaerere Deum…
Qëllimi i tyre ishte të kërkonin Zotin. Në pështjellimin e atyre kohëve, kur dukej se asgjë nuk do të rezistonte, murgjërit donin çka ishte më e rëndësishme, të gjenin atë që vlen e që i bën ballë kohës përgjithnjë, të gjenin vetë Jetën.
Ne e shohim se nga ky kërkim fillestar, u krijua një histori, u konkretizua një kulturë. E Papa në fjalimin e tij skicoi pikërisht tiparet themelore të kësaj kulture.
Murgjërit – kujtoi Benedikti XVI – nuk kërkonin në errësirë, rrugë pa rrugë: ishin të krishterë e Zoti vetë ua kishte sheshuar rrugën. Kjo rrugë ishte Fjala e Tij në Librat e Shkrimit Shenjt. Aty gjindet Zoti, që u flet njerëzve. Në Fjalën biblike Zoti ecën drejt nesh e ne, drejt Tij. Po kjo kërkon ‘kulturën e fjalës’ e cila ka nevojë për shkencat profane – tha në vijim Papa – për të gjetur rrugën drejt gjuhës e fjalëve e për të depërtuar në të gjitha përmasat e jetës.
La Parole qui ouvre le chemin de la recherche de Dieu et qui est elle-même ce chemin, est une Parole qui donne naissance à une communauté…
Fjala që hap udhën për kërkimin e Zotit, i cili është vetë udha, është një fjalë, e cila çon në lindjen e bashkësisë. Natyrisht në fillim kemi të bëjmë me një rrugë individuale, që të shtyn drejt Zotit, por kjo i bën njerëzit të vëmendshëm ndaj njëri-tjetrit, madje u prin drejt bashkimit me ata, që ecin në rrugën e fesë.
E Fjala e Zotit na çon drejt bisedës me Zotin. Ai vetë, siç thuhet në Psalmet, na i jep fjalët e nevojshme që të dialogojmë me Të e t’i drejtohemi, për ta mbartur, kështu, barrën e jetës, me gëzimet e shqetësimet e saj, përballë Tij e drejt Tij. Kemi të bëjmë, pra, me një fjalë që të rrëmben në trup e në shpirt; e prej këndej mori shtytje edhe zhvillimi, ndërmjet tjerash, i këngës dhe i muzikës në liturgjinë e krishterë, që shërbejnë për t’u dhënë fjalëve hov drejt lartësive. Për murgjërit, ashtu si për gjithë të krishterët, ky është bashkim me këngët e engjëjve, në bashkësinë qiellore.
La culture du chant est une culture de l’être…
Kultura e këngës është kultura e krijesës, është përpjekja për të përkuar me madhështinë e Fjalës, nga e cila lindi muzika e madhe perëndimore.
Por për ta kuptuar kulturën e fjalës – vërejti Papa – e ky ishte edhe kyçi i gjithë fjalimit të tij - duhet kuptuar natyra e veçantë e Librit, apo e Librave, përmes të cilëve murgjërit u takuan me Fjalën. Nuk kemi të bëjmë thjeshtë me një libër, por me një përmbledhje tekstesh letrare, të shkruara në një periudhë më se njëmijëvjeçare, uniteti i të cilave nuk kuptohet lehtë. E kjo vlen si për Biblën e Izraelit, që ne e quajmë Besëlidhja e Vjetër, ashtu edhe për lidhjen që bëjmë ne, të krishterët, ndërmjet Besëlidhjes së Re e Biblës së Izraelit, si rrugë drejt Krishtit. E – shpjegoi Papa – nuk duhet harruar se Fjala e Zotit vjen vetëm përmes fjalës njerëzore, dmth Zoti na flet vetëm përmes njerëzve, përmes fjalëve të tyre e historisë së tyre. Por uniteti i librave biblikë dhe karakteri hyjnor i fjalëve të tyre, në pikëpamje thjeshtë historike, nuk është i lehtë për t’u kuptuar.
E kjo pati një ndikim të pallogaritshëm në historinë e krishterimit e të formimit të teologjisë e të kulturës evropiane. Shkrimi Shenjt ka nevojë për shpjegim e ka nevojë edhe për bashkësinë, në të cilën formohet e jetohet, e të cilën e bën të jetojë në frymën e bashkimit të plotë, gjë që e përjashton plotësisht atë, që sot quhet fondamentalizëm. Fjalën e fjalët i kuptojmë vetëm në bashkimin e jetuar të kësaj Fjale, që krijon histori – tha Benedikti XVI - duke lënë të kuptohet se këtu nuk jemi thjeshtë në fushën e teologjisë, por të një procesi themelor, që krijon historinë e njerëzve.
Më pas Papa shpjegoi se Shpirti e liria kanë një masë të brendshme, që është Krishti, i cili u tregon të gjithëve rrugën. Duke u nisur nga përvoja e bashkësisë së krishterë, e dimë se ekziston një tension ndërmjet lidhjes si kufi, e lirisë. E ky tension për Benediktin XVI shkon përtej shpjegimit të Shkrimit Shenjt, madje është pikërisht ky që i dha formë kulturës perëndimore.
Si la culture européenne d’aujourd’hui comprenait désormais la liberté comme l’absence totale de liens, cela serait fatal et favoriserait inévitablement le fanatisme et l’arbitraire…
Në se kultura e sotme evropiane do ta kuptonte tashmë lirinë si mungesë e plotë e lidhjeve, kjo do të ishte fatale e do të favorizonte, në mënyrë të pashmangëshme, fanatizmin e arbitraritetin.
E, për t’i kuptuar më mirë rreziqet përballë të cilave ndodhet Evropa, Papa mbështetet përsëri tek përvoja e jetës murgare. Murgjërit e kalonin ditën duke u lutur e duke punuar. Motua e tyre ishte: ‘ora et labora’: puna fizike, në botën e lashtë, qe diçka që u takonte skllevërve, njerëzve të ultë. Në traditën hebraike, përkundrazi, të gjithë kryerabinët merreshin me punë zejtarie. E krishtërimi, me monakizmin, rikthehet tek puna, duke e mbëshetur këtë veprimtari mbi mendimin se vijmë nga një Hyj, krijues i lëndës, që i ndoti duart, duke u marrë me historinë e njeriut.
Dieu travaille, Il continue d’œuvrer dans et sur l’histoire des hommes. Et dans le Christ, Il entre comme Personne dans l’enfantement laborieux de l’histoire…
Hyji punon! Ai vijon të punojë në e për historinë e njerëzve. Në Krishtin, Ai hyn si Vetje në punën e lodhshme të historisë. Kultura e Fjalës e kultura e punës janë një binom i pandarshëm, pa të cilin zhvillimi i Evropës, ethosi-i i saj e botëkuptimi i saj as që mund të mendohen. Por puna dhe ndikimi i njeriut mbi historinë, kërkojnë bashkëpunimin me Krijuesin, duke e marrë masën prej Tij. Atje ku mungon kjo masë, njeriu e ngre vetveten në lartësinë e krijuesit hyjnor e formimi i historisë mund të shndërohet lehtë në shkatërrimin e saj.
E kjo na përket të gjithëve, duket sikur thotë Papa. Rikujtimi i përvojës së monakizmit i ndihmon edhe të krishterët për të kuptuar se nuk është fjala thjeshtë për një recetë, që duhet zbatuar. Të vihesh në kërkim të Hyjit, do të thotë të bësh pjesë në një bashkësi, që e jeton fjalën e Hyjit, që i kumton botës Hyjin e të gjithëve, duke krijuar tek ai, që dëgjon, bindjen se mund ta shndërrojë këtë fjalë në jetë. E kjo nuk është propagandë për të shtuar anëtarët e grupit tënd, por nevojë në fushën e së vërtetës, që u përket të gjithëve: nuk është një Hyj i menduar, as i shpikur. “Ai u dëftua”.Fjalimi i Papës drejtuar botës së kulturës, është shumë i gjërë e i pasur në përmbajtje. Ati i Shenjtë citon Etërit e Kishës, citon Zhan Leklerk, përshkruan me interes të posaçëm, intelektual e shpirtëror, argumentin e rrugës së lutjes e të kërkimit komunitar të Hyjit në jetën murgare. Tekst për t’u medituar e për t’u kundruar, që dëshmon se Benedikti XVI ka një vizion të plotë të Ungjillit të Logos.







All the contents on this site are copyrighted ©.