2008-09-12 11:55:12

Shenjtëroret mariane dhe Papët e Romës


(12.09.2008 RV)Që nga shekujt e parë të krishterimit besimtari ka ndjerë nevojën për të shkuar në shtegtim në një vend veçanërisht të rëndësishëm për fenë e tij, për të njohur e gjetur rrënjët e veta dhe për të ndjekur edhe gjurmët e apostujve. Me kalimin e kohës, shtegtimi është bërë akoma më shumë rrugëtim urate dhe pendese, për të fituar gjatë 30 vjetëve të fundit edhe një jetë të re. Rritja e numrit të shtegtimeve është ndikuar padyshim, në gjysmën e dytë të shek. XX, nga udhëtimet e shumta apostolike të Papëve të Romës, me vizita nëpër shenjtërore. Për të cituar vetëm shenjtëroret mariane, ka mbetur në histori udhëtimi me tren i Gjonit XXIII në Shtëpinë e Shenjtë të Loretit. Papa Pali VI pati vizituar Zojën tonë të Bonaries në Sardenjë. Papa Gjon Pali II, pastaj shkoi plot shtatë herë në shenjtëroren e Jasna Gorës, në Çestokovë, Poloni dhe pesë herë në ato të Zojës Sonë në Guadalupe, Meksikë dhe në Loret. Një domethënie të veçantë merr vizita e parë nga katër gjithsej, në shenjtëroren e Fatimas, në Portugali, si falënderim që shpëtoi nga atentati i një viti më parë (më 13 maj 1981). Në udhëtimin e tij të fundit ndërkombëtar, në të 104-tin, Papa i sëmurë dhe shumë i lodhur, gjeti forca për t’iu lutur Virgjërës Mari në Lurdë edhe njëherë për paqen në botë.
Shenjë e përshpirtërisë së tij mariane, në stemën e tij është shkronja “M” që na kujton praninë e Marisë te këmbët e Kryqit, siç paraqitet edhe nëpër fuguret që gjenden në shumë shenjtërore mariane, për të na kujtuar se forca shpirtërore e Zojës te këmbët e Kryqit duhet t’i nxisë besimtarët të përballojnë kundërshtitë e jetës me forcë dhe guxim. Në fakt, cila vuajtje është më e madhe se ajo e një nëne, që është e pranishme në vdekjen e të birit? E megjithatë Maria na jep shembullin e një pranie të dhimbshme, por të guximshme, në këmbë pranë të Birit në Kalvar, me një uratë sfilitëse, por me besimin e patundur tek Ati që është në Qiell.

Edhe Papa Benedikti XVI deshi ta evokojë këtë imazh të Marisë, që qëndron kreshnike te këmbët e Kryqit të të Birit në Shenjtëroren mariane “De Finibus Terrea”, në Santa Maria të Leukas, (Itali). Në rastet e udhëtimeve të tija apostolike, Papa Benedikti XVI e ka zakon të shkojë në shenjtërore, e ashtu si edhe Pali VI dhe Gjon Pali II, ka vizituar, për shembull shenjtëroren mariane të Merjem Ana Evi në Efez, në Turqi. Prej andej kujtoi se si pas fjalëve “U bëftë vullnesa e Zotit” drejtuar Engjëllit, amësia e Marisë u plotësua te këmbët e Kryqit në Golgotë, ku Krishti që po vdiste ia besoi shwn Gjonit apostull, i cili iu dorëzua asaj pastaj në një lidhje të re ndërmjet Nënës dhe Dishepullit, për të lidhur pazgjidhshmërisht amësinë hyjnore dhe amësinë kishtare.







All the contents on this site are copyrighted ©.