Papa Benedikti XVI në Francë për vizitën e tij të parë në këtë vend
(12.9.2008 RV)Papa Benedikti XVI mbërriti
në Francë për vizitën e tij të parë në këtë vend si Pasardhës i Shën Pjetrit. Udhëtimi
i tij apostolik bëhet në 150-vjetorin e dukjeve të Zojës në Lurdë, pra një shtegtim
i rëndësishëm marian, etapa e parë e të cilit është kryeqytetit i Francës, Parisi.
Pikërisht këtu, Papa arriti rreth orës 11.00, ku u prit në aeroportin e Orlit nga
presidenti i Republikës, Nikola Sarkozì shoqëruar nga bashkëshortja, si edhe nga kryeipeshkvi
i Parisit, kardinali Andrè Vënt-Trua. Përveç festimit të përvjetorit të Zojës
së Lurdës, ky udhëtim është edhe rasti për t’iu përgjigjur fjalimit mbi laicitetin
pozitiv dhe mbi rrënjët e krishtera të Francës, mbajtur nga presidenti francez në
dhjetorin e kaluar në kishën e Shën Gjonit në Lateran në Romë. Prej andej, filloi
një diskutim i hapur në shoqërinë franceze, mbi ligjin për laicitetin të vitit 1905.
Sipas opinionit të përgjithshëm, mund të hapet një fazë e re në marrëdhëniet ndërmjet
Shtetit dhe Kishës. Vetë Ati i Shenjtë e kujtoi fjalimin e presidentit Sarkozì, në
ceremoninë e mirëseardhjes: “Me rastin e vizitës suaj në Romë, Zoti President,
Ju kujtuat se rrënjët e Francës – ashtu si ato të Evropës – janë të krishtera. Mjafton
historia për ta dëshmuar këtë: që nga zanafilla, vendi juaj ka marrë mesazhin e Ungjillit…
ekzistenca e bashkësive të krishera në Gali dokumentohet në data shumë të lashta:
nuk mund të mos kujtohet me emocion se qyteti i Lionit kishte Ipeshkëv që nga gjysma
e shekullit II dhe se shën Ireneu, autori i Adversus haereses
(Kundër heretikëve), dëshmoi qartë gjallërinë e mendimit të krishterë”. Më
pas, Benedikti XVI vuri në dukje se si Franca, me punën e murgjërve, me themelimin
e shumë kongregatave rregulltarësh, nëpërmjet formimit të zemrave njerëzore e shërbimit
ndaj të varfërve, ka ndihmuar në përçimin e kulturës së krishterë dhe në konsolidimin
e fesë. Papa u shpreh me kënaqësi për marrëdhëniet ndërmjet Kishës e Shtetit francez,
për të cilat një mjet i ri dialogu ekziston që nga viti 2002. Duke vënë në dukje,
se laiciteti ka një rol të rëndësishëm në shoqëri, Ati i Shenjtë theksoi: “Në
këtë moment historik në të cilin kulturat ndërthuren me njëra-tjetrën gjithnjë e më
shumë, jam thellësisht i bindur se është i nevojshëm një reflektim i ri mbi domethënien
e vërtetë e mbi rëndësinë e laicitetit. Nëse nga njëra anë, është themelore të ngulet
këmbë në dallimin ndërmjet fushës politike dhe asaj fetare, me qëllim që të mbrohen
më mirë si liria fetare e qytetarëve, ashtu edhe përgjegjësia e Shtetit ndaj tyre,
nga ana tjetër, duhet një vetëdijë më me madhe për funksionin e pazëvendësueshëm të
fesë në formimin e ndërgjegjeve dhe për kontributin që ajo mund të japë, sëbashku
me instanca të tjera, në krijimin e një konsensusi etik bazë në shoqëri”. Duke
pasur parasysh se Franca është aktualisht presidente e turnit e Bashkimit Evropian,
Papa vuri në dukje vështirësitë me të cilat haset njeriu i kohës sonë, sidomos humbjen
e pikave të referimit në jetën familjare, braktisjen e mënjanimin nga shoqëria, rritjen
e distancës ndërmjet të pasurve dhe të varfërve, gjendjen në të cilën ndodhet planeti
dhe mungesën e perspektivës për të rinjtë. Benedikti XVI kërkoi që në rolin e presidencës
së Bashkimit Evropian, Franca të dëshmojë traditën e saj të lashtë në mbrojtjen e
të drejtave të njeriut: “Kur qytetari evropian do të shohë dhe eksperimentojë
personalisht të drejtat e patjetërsueshme të njeriut, nga zënia deri në vdekjen e
natyrshme, si edhe ato që kanë të bëjnë me edukimin e lirë, me jetën familjare, me
punën, pa harruar natyrisht të drejtat fetare, pra, kur qytetari evropian do të shohë
se këto të drejta nxiten e respektohen, vetëm atëherë do ta kuptojë plotësisht madhështinë
e ndërtesës së Bashkimit Evropian dhe do të bëhet protagonist aktiv në të”. Nuk
është gjithnjë e thjeshtë, por ia vlen të përpiqesh për një bashkim popujsh, ku ndryshimet
kulturore të bëhen pasuri në sinfoninë e përbashkët evropiane, duke konsoliduar solidaritetin
ndërmjet njerëzve – përfundoi Papa Racinger. Ide këto, të mbështetura edhe nga
presidenti francez Nikolas Sarkozì, i cili në fjalën e mirëseardhjes theksoi se “…në
këtë epokë, kur dyshimi, mbyllja në vetvete, i vënë demokracitë përballë sfidës për
t’iu përgjigjur problemeve të sotme, laiciteti pozitiv i ofron ndërgjegjes sonë mundësinë
për të dialoguar, pavarësisht nga besimet e ritet, mbi domethënien që duam t’i japim
ekzistencës”.