2008-09-12 18:44:14

Kriza diplomatike ndërmjet Bolivisë dhe SHBA përhapet edhe në vende të tjera të Amerikës Latine


Edhe Venezuela e dëboi ambasadorin amerikan. Në Bolivi, u vranë të paktën tetë persona në përleshjet që shpërthyen orët e fundit, ndërmjet mbështetësve dhe kundërshtarëve të presidentit Evo Morales. Dhuna shpërtheu pas dëbimit nga Bolivia të ambasadorit amerikan akuzuar si “nxitës i përçarjes” në vend. Në shenj solidariteti me Bolivinë edhe qeveria e Venezuelës i kërkoi ambasadorit amerikan të kthehet në vendin e tij. Ndërkaq në Bolivi klasa politike duket gjithnjë e më e përçarë. Çka nxit përplasjet e rrepta, tashmë prej vitesh, është nxjerrja dhe përdorimi i gazit. Po ashtu kërkesave të disa krahinave për autonomi iu shtohen edhe kundërshtimet lidhur me kartën e re kushtetuese.


Pas pesë muajsh krize politike e me vendin në prag të humnerës, dje në Zimbabve pati një kthesë politike. Robert Mugabe, që mban postin e presidentit dhe kryetari i opozitës të Lëvizjes për ndryshime demokratike, Morgan Cvangirai, që do të bëhet kryeministër, nënshkruan një marrëveshje për ndarjen e pushtetit. Marrëveshja që do të nënshkruhet zyrtarisht të hënën e ardhshme në Harare, shënon lindjen e një qeverie të bashkimit kombëtar.








All the contents on this site are copyrighted ©.