2008-09-12 13:47:45

Kisha katolike me 12 shtator kremton festën e Emrit të Zojës Mari


(12.09.2008 RV)Festa kushtuar Emrit të shenjtë të Marisë u kremtua për herë të parë, me lejën e Romës, në Kuenka të Spanjës në vitin 1513. E ndërprerë nga Shën Piu V, nisi të kremtohej përsëri nën papninë e Sikstit V e më pas u shtri edhe në mbretërinë e Napolit e në Milano. Më 12 shtator 1683, kur Gjon Sobieski me polakët e vet fitoi mbi hordhitë turke që kishin rrethuar Vjenën, duke kërcënuar krishterimin, i Lumi Inoçenci XI, për t’i shprehur mirënjohjen e thellë Zotit, e shtriu festën në mbarë Kishën universale dhe e caktoi festimin të dielën para Tetëditshes së Krishtlindjes. Papa Shën Piu X e shënoi në Kalendar më 12 shtator, kur vijon të kremtohet edhe sot.
Në historinë ezegjezit ka pasur shumë shpjegime për kuptimin e emrit Mari.
Një prej tyre e shpjegon me fjalën ‘hidhërim’. Këtë shpjegim e japin disa Rabinë, të cilët e nxjerrin emrin Miryam nga rrënja MRR, që në hebraishte do të thotë “të jesh i hidhur”. Sipas tyre shpjegohet kështu nga Maria, motra e Moisiut, që u quajt me këtë emër, sepse kur lindi, Faraoni nisi ta bëjë gjithnjë më të hidhur jetën e hebrenjve.
Edhe ne, të krishterët, mund ta pranojmë këtë shpjegim, duke pasur parasysh hidhërimin e thellë që përballoi Virgjëra Mari në rrugën e Kryqit për shëlbimin tonë.
Shpjegime të tjera janë: “Mësuese e Zonjë e detit”, nga hebraishtja Moreh (Zonjë) dhe Yam (det), gjithnjë lidhur me Marinë, motrën e Moisiut, që ishte mësuese e grave hebreje kur kalonin Detin e Kuq.
Virgjëra Mari është Mësuese e Zonjë e detit të këtij shekulli, të cilin na bën ta kapërcejmë duke na shoqëruar drejt qiellit.
“Ndriçuese, Yll i detit”, nga parashtesa hebraike emërore M + Or (dritë) + Yam (det).
“Shi stinor” – nga hebraishtja Moreh – shiu i parë i stinës. Maria konsiderohet si ajo që resh nga qielli një shi hiresh.
“Lartësi” nga hebraishtja Marom – Lartësi qiellore. Tek Shën Luka gjejmë shprehjen “Na ka vizituar një diell që lind “nga lart” e kjo fjalë “Nga lart” është shpjeguar “nga Maria”.
Cila është më e drejta nga të gjitha këto hamendje? Ndoshta Provania hyjnore na la në dyshim, që në emrin e Marisë të gjejmë njëkohësisht të gjitha kuptimet që na shtjellon analogjia e fesë.







All the contents on this site are copyrighted ©.