(12.09.2008 RV)Katedralja e sotme e Shën Marisë së Parisit, që ngrihet në ‘Îl
de la Cité’ të Sienës, dikur qe tempull galo-romak; në shekullin IV, mbi tempullin
e rrënuar, u ngrit një bazilikë merovinge e mbi të, një kishë romanike. Punimet
për ndërtimin e Katedrales së Shën Marisë filluan me nismën e ipeshkvit të Parisit,
Moris de Syli. Gurin e parë e bekoi dhe e vuri në themel, më 1163, Papa Aleksandri
III. Pasi u ndërtua gjithë tempulli, më në fund u kryen edhe fasada (1218) e du kullat
karakteristike (1245). Një nga shembujt më të shkëlqyer të artit gotik-klasik, Katedralja
është 130 metra e gjatë, 48 e gjërë, 36 e lartë nga brenda, ndërsa nga jashtë, 69
metra. Mund të zërë 6. 550 vetë. Katër rozonet, lule të mëdha prej guri e qelqi,
me diametër trembëdhjetë metra, mbi një balaustër shtatë metrash, janë kryevepra të
papërsëritshme. Lakueshmëria e plumbit u krijon vetratave mundësinë t’i bëjnë ballë
erës, ndërsa struktura e fuqishme prej guri e prej hekuri e mba prej shekujsh gjithë
peshën e ndërtesës. Sapo i afrohesh katedrales, gjëja e parë që të bie në sy,
janë tre portalet: ai i veriut, kushtuar Virgjërës; qëndrori, Gjyqit të mbram, me
Krishtin që vjen për të gjykuar të gjallë e të vdekur e me shtatoren e Shën Mëhillit,
që shtyp nën këmbë shejtanin, si dhe portali i jugut, kushtuar Shën Anës me Krishtin. Vjen,
pastaj, galeria e mbretërve, ku mund të admirosh 28 mbretërit e Izraelit e të Judës,
e sa e sa mrekulli të tjera arti, pa harruar se poshtë Katedrales është kripta më
e madhe arkeologjike e Evropës, ku mund të lexosh gjithë historinë e Parisit. Ndërmjet
relikeve të Katedrales, kujtojmë një copëz dru nga kryqi i vërtetë i Krishtit, kurorën
e ferrave dhe një nga gozhdat me të cilat qe mbërthyer Krishti në kryq. Në fund
të korit, një Zojë e Dhimbshme, vepër e Kostu, të kujton shpalljen e Virgjërës Mari,
Pajtore e Francës nga mbreti Luigji XIII. E kjo ngjarje e madhe përkujtohet vit për
vit me një procesion publik, që kremtohet më 15 gusht, festa e të Ngjiturit të Zojës
në Qiell. Shtatorja e Shën Marisë së Parisit, e shekullit XIV, mund të admirohet
në jug-lindje të ndërtesës. Këtu janë varrosur tre ipeshkvij, të vrarë gjatë shekullit
të kaluar: Imzot Afrë, ndërsa përpiqej të qetësonte punëtorët kryengritës (1848);
Imzot Sibur, therur me thikë brenda në Katedrale (1857) dhe imzot Darbui, pushkatuar
nga komunarët e Parisit (1871).
Po kujtojmë disa nga datat më të rëndësishme
të historisë së Katedrales: 1229 Predikimet e Shën Dedës. 1602 Predikimet
e Shën Françeskut të Sales. 1795-1802 Si plaçkitet nga revolucionarët, Katedrales
i ndërrohet emri. Quhet ‘Tempulli i arsyes’ e pastaj mbyllet fare. 1831 Viktor
Hygo shkruan “Notre Dame de Paris”, përkthyer në shqip me titullin ‘Shën Maria e Parisit’. 1937
Predikimet e kardinalit Eugjenio Paçeli, Papa i ardhshëm Piu XII. 1945 Mesha e
‘Te Deum’, për të falënderuar Zotin në përfundim të Luftës II Botërore, kremtuar nga
kardinali Emanuel Suhar, në prani të gjeneralit Sharl De Gol. 1980 Gjatë shtegtimit
të tij të parë apostolik në Francë, Gjon Pali II kremton ‘Te Deum’ (30 maj) në prani
të presidentit të Republikës, Valerí Zhiskar d’ Estë, të autoriteteve më të larta
e të Trupit Diplomatik; vijon, më pas Mesha në tremen e Katedrales, me ipeshkvijtë
e klerin e Parisit.