2008-09-11 16:54:26

Vizita e Papës në Francë me rastin e 150-vjetorit të dukjeve të Lurdës.


(11.09.2008 RV)Benedikti XVI që nesër do të jetë në Francë. Është vizita e parë në këtë vend si pasardhës i Shën Pjetrit. Shtegton me rastin e 150-vjetorit të dukjeve të Lurdës: është, pra, një shtegtim i rëndësishëm marian, gjatë të cilit Papa do të ndalet edhe në Paris, ku do të arrijë nesër paradite, rreth orës 11. 00. Në aeroportin e Orli do të pritet nga presidenti i Republikës, Nikolas Sarkozi.
Por, për atmosferën e pritjes të Atit të Shenjtë në Francë, të ndjekim shërbimin e të dërguarës sonë, Françeska Sabatineli – nga Parisi:

“Papa arrin në një Francë që nuk e njeh Benediktin XVI, por e di mirë kush është kardinali Jozef Racinger. Prandaj mund të themi se besimtarët e përtejalpeve do të kenë rastin të dëgjojnë mesazhin e një Pape që, siç pohojnë katolikët francezë, mbetet për t’u njohur më thellë në shumë këndvështrime.
150-vjetori i dukjeve të Zojës së Bekuar në Lurdë është – siç e nënvizoi dje vetë Papa - shkaku kryesor i këtij shtegtimi, shumë të ngarkuar me takime, gjatë të cilave do të ketë çaste lutjesh, dialogu, feje e kulture. Do jetë një rast i përshtatshëm për t’iu përgjigjur diskutimit mbi laicitetin pozitiv dhe mbi rrënjët e krishtera të Francës, mbajtur nga presidenti Sarkozi në Bazilikën lateranense të Shën Gjonit, në dhjetorin e kaluar. Fjalët e Sarkozi, që prekën një çështje delikate për francezët e që u pritën me polemika, ringjallën diskutimin rreth ligjit të vitit 1905 mbi laicitetin e, sipas mendimit të shumicës, ka shumë mundësi të hapin një fazë të re në marrëdhëniet e Shtetit me Kishën.
Papa do të takohet me presidentin pas arritjes së tij në Orli, nesër paradite, etapë e parë e 24 orëve pariziane, gjatë të cilave do të shkelë në një nga vendet më simbolike të kryeqytetit: në Kolezhë de Bernardë, për t’u takuar me botën e kulturës. 770 intelektualë të Francës do të mblidhen me Papën në një ndërtesë historike, qendër e rëndësishme e kulturës, që rihap portat pas shumë vjet restaurimi. Këtu Ati i Shenjtë do të mbajë një nga fjalimet më të rëndësishme. Do të jetë rast i përshtatshëm që të shprehë mendimin e tij rreth njërës nga temat, që e ka më për zemër. Do të flasë për marrëdhëniet ndërmjet fesë e arsyes në shoqërinë bashkëkohore. Më pas Papa do të shkojë në Notrë-Damë, siç quhet Katedralja, kushtuar Zojës së Parisit, ku do të kryesojë lutjet mbrëmësore e do të përshëndesë të rinjtë, të cilët më pas do të marrin pjesë në natën e lutjes, në përgatitje të Meshës që do të kremtohet të nesërmën. Të shtunën, para se të largohet nga Parisi e edhe para kremtimit të Meshës, Papa do të vizitojë Institutin e Francës, në të cilin Benedikti XVI bën pjesë që nga viti 1992. Dita pariziane do të përfundojë me Meshën Shenjte, kremtuar në një nga vendet më madhështore të Parisit, në Esplanadë des Envalide, ku priten 250 mijë vetë.
Pasdite, nisja për në Lurdë, ku Papa do të jetë shtegtar ndërmjet shtegtarëve e ku do të kremtojë dy Meshë, të dielën e të hënën, kjo e dyta kushtuar të sëmurëve, e do të takohet me ipeshkvijtë. Do të jetë një çast ballafaqimi me Kishën franceze, e cila pret që fjalët e Papës t’i japin një shtytje të re për të përtërirë mesazhin e saj, në një shoqëri fuqimisht të shekullarizuar e larg fesë. Një Kishë që kalon vështirësi të ndjeshme të brendshme, duke nisur nga kriza e thirrjeve për rrugën meshtarake e rregulltare e nga pakësimi i numrit të besimtarëve në kremtime, por që njëkohësisht vëren lindjen e një dinamizmi të ri në gjirin e katolikëve francezë, të cilët janë të gatshëm ta rishkruajnë në vendin e tyre, rolin e fesë në shoqëri e në kulturë".








All the contents on this site are copyrighted ©.