2008-09-10 18:03:41

Me 10 shtator kalendari Kishtar përkujton Shën Nikollin nga Tolentino, meshtar


(10.09.2008 RV)Nikolli lindi në vitin 1245 në Kastel Sant Anxhelo të Pontanos, dioqeza e Fermos, nga prindër, që dëshironin prej vitesh një fëmijë. Katërmbëdhjetë vjeç hyri si dëshirtar, dmth pa detyrime e pa kushte, në Urdhërin e vetmitarëve të Shën Agostinit, në vendlindje. Më pas u pranua rregullisht në Urdhër e, më 1274, u shugurua meshtar në Çingoli. Bashkësia agostiniane e Tolentinos u bë shtëpia e tij nënë, e territori markixhan, me kuvendet e tij të shumta të Urdhërit, ku strehohej gjatë shtegtimeve të tij si predikatar, fusha e punës. Pjesën më të madhe të ditës ia kushtonte lutjeve, në sa agjëronte vazhdimisht. Ishte një asket gjithnjë me buzë në gaz, një pendestar që përhapte gëzim, kudo që shkelte. E dëgjonin kur predikonte, e ndiqnin me vëmendje të madhe kur rrëfente ose kur fliste në raste të ndryshme, dhe vërenin, të çuditur, se ishte gjithnjë me të njëjtin humor. Kalonte nga tetë deri në dhjetë orë në lutje, ushqehej vetëm me bukë e ujë, e megjithatë kur fliste, përhapte gëzim. Shumë njerëz vinin në rrëfyestoren e tij nga larg. Gjunjëzoheshin të ngarkuar me mëkate, largoheshin të pasuruar nga besimi i tij plot gëzim. Gjithnjë i ndjekur nga zëra që flisnin për mrekulli, në vitin 1275 u vendos në Tolentino, ku vijoi të jetonte deri në vdekje, më 10 shtator 1305. Mbeti në kujtesën e njerëzve, e në faqet e Martiriologut Romak, si njeri i rreptë me vetveten, por i mëshirshëm me të tjerët; si rrëfyes, që ia ngarkonte vetes pendesën, të cilën duhet ta bënin pendestarët e tij. Pas vdekjes, 371 dëshmitarë do të flisnin për mrekulli të shumta që bëri Nikolli, i cili u shpall shenjt në vitin 1446, në sa në bazilikën e Tolentinos, ku pushon në paqe, kishin nisur prej kohe shtegtimet tek varri i tij e mrekullitë, që vijojnë edhe sot e kësaj dite.







All the contents on this site are copyrighted ©.