2008-09-10 17:50:20

Katekizmi i Benediktit XVI në audiencë: Shën Pali na mëson se të jesh apostull, do të thotë ta kumtosh gëzimin e Krishtit në botë.


(10.09.2008 RV)RealAudioMP3 Është katekizmi i katërt, që Benedikti XVI ia kushton Shën Palit. Të mërkurën e kaluar, Papa foli për rrugën e Damaskut, duke theksuar se kthimi është fryt i takimit të njeriut me Krishtin. Ndërsa sot u ndalua tek karakteristikat e Shën Palit si apostull dhe përfundoi duke uruar që dëshmitarët e Ungjillit në të gjitha kohët, të jenë kryesisht ‘apostuj të gëzimit të Krishtit’.
Në shërbim të Ungjillit ‘njëzet e katër orë mbi njëzet e katër’. Guximtar deri në vetëmohim, ai duroi – në emër e për dashuri të Jezusit - rrahje, burgime, mbytje në det, lodhje, udhëtime rraskapitëse. Pali i Tarsit – shpjegoi Papa - e dinte mirëfilli se fjala ‘apostull’ në greqisht do të thotë ‘i dërguar’, ambasador i dërguar nga dikush, për të cilin duhet të shkrish pa kursim vetveten. E duke qenë ky ‘Dikush’ vetë Krishti, që e pati rrëmbyer tek Portat e Damaskut, Pali e di po aq mirë – dhe e vë shumë herë në dukje në Letrat e tij – se ishte një thirrje e mirëfilltë shpirtërore që të bëhej apostull, e jo një akt që varej nga vullneti njerëzor:
Si përfundim, mund të themi se apostullimin e krijon Zoti, jo hamendja vetjake. Apostull nuk bëhesh vetvetiu; është Zoti ai që të bën të tillë; prandaj apostullimi ka nevojë për lidhje të përhershme me Zotin. Jo më kot Pali thotë se është ‘i thirrur për të qenë apostull’, dmth jo nga ana e njerëzve, as nga ana e një njeriu, por nga ana e Jezu Krishtit dhe e Hyjit Atë”.
Ishte, prandaj, pothuajse i përzgjedhur nga hiri i Hyjit – shpjegoi Papa – e ndonëse nga njëra anë e pranon plotësisht epërsinë e të Dymbëdhjetëve, të zgjedhur nga Jezusi gjatë jetës së tij tokësore – duke u vetëmbrojtur në më se një rast si ‘i fundmi i apostujve’ – nga ana tjetër shpreh një koncept më të gjërë të impenjimit, që duhet të ketë kumtuesi i Ungjillit:
“Duket qartë, prandaj, se koncepti i Palit mbi apostullimin nuk kufizohet vetëm tek grupi i të Dymbëdhjetëve. Pa dyshim ai di ta dallojë mirë rastin e tij nga i atyre, që kishin qenë apostuj para tij: atyre u njeh një vend krejt të posaçëm në jetën e Kishës. E megjithatë, siç e dinë të gjithë, edhe Shën Pali e quan veten Apostull në kuptimin më të ngushtë të kësaj fjale. Sigurisht që, në kohën e bashkësive të para të krishtera, askush nuk përshkoi më shumë kilometra se ai, nëpër tokë e nëpër det, gjithnjë me një qëllim të vetëm: të kumtonte Ungjillin”.
Të jesh i përzgjedhur me nismë hyjnore e të jesh i dërguar, janë dy nga tri karakteristikat, që vuri në dukje Benedikti XVI, duke shpjeguar si e koncepton termin apostull në përvojën e Shën Palit. Karakteristika e tretë ka të bëjë me ‘ushtrimin e kumtimit të Ungjillit’, e si pasojë, me themelimin e kishave. Titulli i Apostullit – pohoi Papa – nuk është e nuk mund të jetë titull nderi. Ai e impenjon konkretisht e edhe dramatikisht gjithë qenien e subjektit përkatës:
“Një element tipik i apostullimit të vërtetë, që vihet mirë në dukje nga Shën Pali, është një lloj njësimi i Ungjillit me ungjillëzuesin, që të dy të paracaktuar për të njëjtin fat. Askush, si Pali, nuk e vuri kaq me forcë në dukje se kumtimi i kryqit të Krishtit duket si ‘shkandull e marrëzi’ e se shumëkush e keqkupton ose nuk e pranon. Kjo ndodhte asokohe e nuk është për t’u çuditur në se e njëjta gjë ndodh edhe sot.(…). Ky mbetet misioni i të gjithë apostujve të Krishtit, në të gjitha kohët: të jenë bashkëpunëtorë të gëzimit të vërtetë”.
Në çastin e përshëndetjeve përfundimtare, pasi iu drejtua posaçërisht pjesëmarrësve në Seminarin e komunikimeve shoqërore, organizuar nga Universiteti Papnor i Kryqit Shenjt, Benedikti XVI i kushtoi, duke pasur parasysh shtegtimin në Lurdë, për ku do të niset më 12 shtator, një mendim marian të rinjve, të sëmurëve e të sapomartuarve: “Për juve, të rinj – tha Papa – i lutem Zonjës së Bekuar t’ju dhurojë një fe gjithnjë më të pjekur; për juve, të sëmurë, një fe gjithnjë më të fortë e për ju të sapomartuar, një fe gjithnjë më të thellë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.