2008-09-10 18:02:43

Dita Botërore për parandalimin e vetëvrasjeve: çdo vit në botë vdesin 1 milion vetë


(10.09.2008 RV)U përkujtua sot Dita Botërore e parandalimit të vetëvrasjeve. Tema e sivjetme është “Të mendojmë në mënyrë globale, të organizojmë sipas kombeve, të veprojmë në mënyrë lokale”. Çdo vit, 1 milion vetë në botë, që do të thotë një viktimë çdo 40 sekonda, vrasin veten vullnetarisht. Vetëvrasja paraqet 3% të rasteve të vdekjes, madje mban vendin e parë ndër adoleshentët nën 15 vjeç në Kinë, Suedi, Irlandë, Australi dhe Zelandë e Re. Në Evropë numërohen 58 mijë vetëvrasje në vit, duke kapërcyer kështu numrin e të vdekurve nga aksidentet rrugore dhe Sida. Ekspertët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë kanë filluar të mendojnë për programe parandalimi, të bazuara mbi të dhënat e deritanishme. E sidomos, shumë duhet bërë për të luftuar shkaqet e depresionit, siç mund të jetë edhe thjesht vetmia, apo mënjanimi nga shoqëria, mungesa e miqve dhe indiferenca.

Nga ATSH-ja
MSH: APEL MEDIAS PËR RAPORTIM TË PËRGJEGJSHËM TË VETËVRASJEVE

 
-Në Ditën Botërore për Parandalimin e Vetëvrasjeve-
TIRANË, 10 Shtator 2008/ E. Çuko/. - Strukturat e Ministrisë së Shëndetësisë i bënë apel medias të mërkurën, në Ditën Botërore për Parandalimin e Vetëvrasjeve, për raportim të përgjegjshëm dhe bashkëpunim për parandalimin e këtij fenomeni.
Instituti i Shëndetit Publik zgjodhi në këtë ditë si partner të parë për bashkëpunim median, e cila luan një rol kyç në këtë drejtim me raportimin e këtyre ngjarjeve. Në aktivitetin e organizuar sot në Hotel Tirana International nga ISHP, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, atë të Brendshme dhe Institutin e Medias, u vu theksi tek roli i medias në drejtim të raportimit të përgjegjshëm të vetëvrasjeve, duke luajtur rol parandalues ndaj këtyre fenomeneve.
Studime të ndryshme kanë vërtetuar se vetëvrasja është një dukuri që imitohet, ndaj raportimi i përgjegjshëm i vetëvrasjeve shpëton jetë, u theksua në takim. Ndërkohë, sipas të dhënave, rezulton se ka një rritje të vetëvrasjeve gjatë viteve të fundit.
Zv/ministrja e Shëndetësisë, Zamira Sinoimeri, duke falenderuar përfaqësuesit e medias për praninë, e vuri theksin tek bashkëpunimi me "pushtetin e katërt" për përmirësimin e shëndetit publik dhe reformimin e tij. "Duhet të ulemi më shpesh për të diskutuar probleme, edhe atë të vetëvrasjeve, sepse ne nuk kemi mjet më të mirë sesa ju për ta arritur publikun dhe për të përcjellë mesazhet tona", tha ajo.
Ndërsa drejtori i ISHP-së, Alban Ylli, tha se "vitet e fundit, vetëvrasja është kthyer në një problem jo vetëm për shëndetin publik në Shqipëri, kështu që është koha për të filluar programet e parandalimit". Sipas tij, ka një sërë programesh të provuara që mund të shpëtojnë jetë dhe në këtë drejtim fokusi i ditës së sotme ishte të punohej me mediat dhe partnerë të tjerë jashtë sistemit shëndetësor për të nxitur raportimin e përgjegjshëm të vetëvrasjeve.
"Jemi në momentin për të filluar dhe marrë masa në këtë drejtim, si puna më e mirë në trajtimin e personave me probleme të shëndetit mendor, ndjekja më e mirë e atyre që kanë tentuar njëherë vetëvrasjen, puna në shkolla me të rinjtë në krizë (duke kërkuar dhe bashkëpunimin me arsimtarët, etj), aksesi më i ulët ndaj pesticideve, apo mjeteve të tjera që mund të nxisin vetëvrasjen. Këtu duhet bashkëpunim jashtë sistemit shëndetësor", tha Ylli, duke shtuar se do të bashkëpunojmë me agjencitë e tjera.
Në këtë drejtim, ISHP shpërndau dhe manualin "Media dhe vetëvrasja" mbi mënyrën e raportimit të përgjegjshëm të vetëvrasjeve në median e shkruar dhe vizive.
Përfaqësuesit e Ministrisë së Brendshme theksuan se po punohet në drejtim jo vetëm të identifikimit të shkaqeve, por dhe të mjeteve, duke marrë dhe masat e duhura për parandalimin e fenomenit. "Nuk duhet të jemi indiferentë ndaj vetëvrasjes", theksuan ata, duke vënë theksin tek analizimi i fenomenit dhe mënyrat e parandalimit të tij.







All the contents on this site are copyrighted ©.