2008-09-10 18:02:23

365 ditë:"Bernardetë Subiru, vegimtarja e vogël e Masabielës".


(10.09.2008 RV)Më 16 korrik 1858 Bernardetë Subiru shkon për të mbledhur dru, së bashku me të motrën e me një shoqe. Sapo arrijnë në Masabielë, pranë Lurdës, tri vajzat heqin këpucët. Duhet të kapërcejnë përroin, që pret rrugën. E kredhur në mendimet e veta, Bernardeta e kalon vaun ngadalë, duke mbetur pas vajzave, që tashmë kanë dalë qëkuri në bregun tjetër e kanë hyrë në një shpellë.
Kur Bernardeta i afrohet shpellës, ndjen një si rribë të papritur ere, që e çudit. Ngre, prandaj, kokën nga shpella. Në një kamare të shkëmbit, gërryer nga koha, shikon një dritë të ëmbël, që rrethon një zonjë të bukur. Ajo i buzëqesh. Bernardeta fërkon sytë nga habia. Beson se po shikon ëndrra me sy hapur. Por zonja e bukur është gjithnjë aty… Vajza e shikon duke bërë shenjën e kryqit e duke marrë rruzaren. Atëherë edhe Bernardeta nis të lutet, pastaj vegimi zhduket. Bernardeta, thellësisht e shqetësuar, hyn në shpellë, ku e presin dy shoqet, që nuk kanë parë asgjë. E vajza, që vendos të mos u tregojë ç’kishte ndodhur, mbledh karthjet e kthehet në shtëpi. Kur e pa Zonjën e bukur për herë të parë, Bernardeta sapo i kishte mbushur të katërmbëdhjetë vjetët. Ishte bijë e një familjeje tejet të varfër e nuk dinte shkrim as këndim. Nuk kishte kohë as për të shkuar në katekizëm. Për fenë e krishterë dinte vetëm aq, sa kishte mësuar në familje. Në fshat askush nuk merrej me Bernardetën. Por shumë shpejt vëmendja e të gjithëve do të përqendrohej pikërisht mbi vajzën, që më parë s’e përfillte askush. Ajo vihet në qendër të vëmendjes, sepse gjatë disa muajve, Zonja e Bekuar do t’i duket jo më pak se shtatëmbëdhjetë herë, në ndonjë rast edhe në praninë e një turme vigane.
Më 25 shkurt Zonja e fton Bernardetën të drejtohet nga një skaj i shpellës: “Shko – i thotë – e pi ujë, laj pastaj edhe fytyrën”.
I tregon me gisht ku duhet të gërmojë. Ajo gërmon e, pas pak, nga dheu del një curril uji, që sakaq nis të gurrojë si krua.
Në një rast tjetër, ndërsa të gjithë e pyesnin me ngulm vajzën kush ishte kjo Zonjë, më në fund Virgjëra u përgjigj: “Que soy era Immaculada Councepciou”, që do të thotë: “Unë jam e Zëna pa mëkat’, e Papërlyera. Vegimin e fundit Bernardeta e pati më 16 korrik 1858. Tani misioni i saj përfundoi. U çoi njerëzve mesazhin e Virgjërës: duhet të luteni e të bëni pendesë. U tregoi edhe se Zonja dëshironte që pranë shpellës të ngrihej një kapelë, t’i kushtohej Asaj e të bëhej vend shtegtimesh. Pa dashur e pa e ditur, vogëlushja Bernardetë Subiru u bë e famshme. Mijëra shtegtarë mblidhen çdo vit në Lurdë për t’u lutur, për t’ia besuar shqetësimet e gëzimet e tyre Zojës së Papërlyer.







All the contents on this site are copyrighted ©.