2008-09-09 17:52:44

Në audiencë tek Papa, një grup ipeshkvijsh paraguaianë.


(09.09.2008 RV)RealAudioMP3 Vijon, këto ditë, vizita ad Limina e ipeshkvijve të Paraguait, që do të përfundojë të shtunën e ardhshme. Vendi jugamerikan numëron 6 milion banorë, 91% e të cilëve, katolikë. Kisha paraguaiane ka një kryedioqezë metropolitane, 11 dioqeza sufragane, dy vikariate apostolike dhe një ipeshkëv ushtarak. Më 15 gushtin e kaluar filloi detyrën presidenti i ri i Paraguait, Fernando Lugo, ish-ipeshkëv i San Pedros. Pikërisht kjo ngjarje përbën një sfidë për ipeshkvijtë e vendit, e këtë e nënvizon edhe imzot Injac Gorgoza Izaguirre në mikrofonin e Radio Vatikanit:

Përgjigje: - Sfida e parë, që kemi në këtë çast, është ndryshimi i skenës politike. Deri tani kishim një president, që nuk e simpatizonte aq katolicizmin e një qeveri, që e mbajti pushtetin në dorë për 60 vjet me radhë. Tani kemi një president të ri, ish-ipeshkvin e San Pedros, një sivëlla, pra, por që është liruar nga gjendja klerikale. Ndjehet fort kërkesa mbarëpopullore për t’i dhënë fund korrupsionit, me rrënjë të thella në jetën e shoqërisë paraguaiane e, njëkohësisht, pritet hapja e një horizonti të ri ekonomik, shoqëror e politik, në një kohë kur kemi më shumë liri fjale. Sfida e dytë, është se këtë herë politika prek edhe Kishën, në kuptimin se, duke qenë presidenti ish-ipeshkëv, njerëzit mendojnë se në qeveri është vetë Kisha. Prandaj kemi përgatitur një dokument, për ta shmangur përshtypjen se Kisha e shteti janë e njëjta gjë. Kisha është institucion i pavarur e do të ndjekë vijën që ka ndjekur me qeverinë e mëparshme: atë të një Kishe kumtuese të Fjalës së Hyjit e, njëkohësisht, profetike, duke bashkëpunuar me shtetin në fushën e arsimit, të shëndetësisë e të veprimtarive shoqërore, por duke e ruajtur gjithnjë pavarësinë institucionale.







All the contents on this site are copyrighted ©.