2008-09-09 17:53:58

Ipeshkvijtë e Pakistanit i kërkojnë presidentit të ri të vendit mbrojtjen e pakicave fetare


(09.09.2008 RV)RealAudioMP3 Në Pakistan, Asif Ali Zardari bëri betimin si president i ri i vendit. Në ceremoni mori pjesë edhe presidenti afgan, Hamid Karzai. Të dy u zotuan të luftojnë sëbashku terrorizmin. Ndërkaq, presidenti i Konferencës ipeshkvnore, imzot Lourenc Xhon Saldana, në një mesazh drejtuar Zardarit, i kërkon që të gjithë të mund të gëzojnë të drejtat qytetare. Kemi shpresë që Pakistani të hyjë në rrugën e bashkimit, të paqes e të zhvillimit, nënvizon prelati, duke theksuar veçanërisht rëndësinë e mbrojtjes së të drejtave të pakicave fetare. Ta dëgjojmë vetë kryeipeshkvin e Lahores në mikrofonin tonë:

Përsa u përket pakicave, kam publikuar një letër në të cilën, pasi i shprehim përgëzimet tona për fitoren, i kemi kërkuar presidentit t’i kushtojë vëmendje urgjente problemit të pakicave fetare, që duhet të përballojnë terrorizmin, ekstremizmin. Shpesh janë njerëz shumë të varfër, që kanë nevojë për asistencë dhe ndihma të veçanta për të jetuar. Është e nevojshme edhe një tolerancë fetare më e madhe dhe është e domosdoshme që të përkrahen pakicat dhe gratë, në rastin e ligjeve diskriminuese. Ne sigurojmë besnikërinë tonë ndaj shtetit dhe do të vazhdojmë t’u shërbejmë interesave të vendit, sidomos në fushën e shëndetësisë dhe të arsimit.
 
Cilat janë iniciativat e Kishës katolike në fushën e arsimit?

Niveli i arsimit në vendin tonë është shumë i ulët. Është një nga nivelet më të ulta në të gjithë zonën e Azisë jugore. Kemi një përqindje shumë të ulët popullsie të shkolluar, prandaj arsimi është përparësi për vendin dhe për ne. Ne administrojmë një sistem, një rrjet shkollash e përpiqemi të promovojmë arsimimin në mënyrën më të mirë të mundshme, pavarësisht nga burimet e pakta në dispozicion. Në fakt, ne nuk marrim asnjë lloj ndihme apo asistence nga qeveria për shkollat. Megjithëse është e vështirë, mbetemi të impenjuar në këtë fushë: kemi kolegje e shkolla. Në dioqezën e Lahores për shembull, kemi mëse 100 shkolla, që frekuentohen si nga myslimanët, ashtu edhe nga të krishterët.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.