2008-09-09 17:58:40

365 ditë: "Madamë Svitçina dhe salloni i saj i krishterë, në zemër të Parisit".


(09.09.2008 RV)RealAudioMP3 Si gratë e tjera të pasura, që jetojnë në Paris rreth viteve 1830, edhe Madamë Svitçinë organizon një sallon. Mbrëmjeve ia hap shtëpinë e saj njerëzve, që dëshirojnë të flasin dy fjalë me të. Sallonet pariziane të kohës, janë vende ku mblidhen shumë njerëz, të cilët shkëmbejnë pikëpamjet: studiues, që flasin për zbulimet e tyre; politikanë, që sjellin të rejat e veprimtarisë qeveritare; shkrimtarë, që shfletojnë librat e rinj, muzikantë, që luajnë pjesë të sapokompozuara në piano... Ata që mblidhen në një sallon, diskutojnë gjithë mbrëmjen e, në fund, kthehen në shtëpi më të kënaqur, më të informuar, më të ditur e më të lidhur me aktualitetin.
Salloni i Madamë Svitçinës është disi i veçantë. Së pari duhet kujtuar se Zonja nuk është franceze: vjen nga Rusia, ku bënte pjesë në aristokracinë e vendit e jetonte në oborrin e carit. Shtegtoi në shumë vise të Evropës, para se të vendosej në Paris, kryeqytet që i pëlqen më shumë se gjithë të tjerët. Duke qenë e huaj, mysafirët e respektojnë, sepse ka udhëtuar, ka parë shumë gjëra, ka njohur shumë sisteme politike e është takuar me njerëz të famshëm nga gjithë Evropa.
Por salloni i Madamë Svitçinës ka edhe një veçori tjetër: është sallon i krishterë.
Ashtu si në sallonet e tjera, aty flitet për politikë, për libra ose për ngjarje aktuale, por gjithçka flitet, ndriçohet nga drita e fesë.
Madamë Svitçina është besimtare e matur. Shkon çdo ditë në Meshë e ndihmon shumë familje, në emër të Krishtit, por ata që vizitojnë sallonin, nuk e njohin fare këtë pjesë të jetës së saj. E nuk e dinë as se Zonja kalon çdo ditë orë e orë duke lexuar libra fetarë.
Kjo grua e zgjuar, nuk dëshiron t’ua imponojë të tjerëve fenë, as idetë e saj. Mendjendritur siç është, i pëlqen të dëgjojë edhe ide të ndryshme nga të sajat. Por zgjuarësia e personaliteti i ruses së re, tërheqin në sallon, njerëzit më të rëndësishëm të Kishës. Salloni i Zonjës Svitçina është vendi ku takohen personalitete të famshme, si ambasadori i Papës në Paris, atë Lakordierë, rregulltar domenikan, që njihet si predikatari më i shkëlqyer i shekullit XIX, ose Karl di Montalamber, politikan katolik, që jep një ndihmesë të shquar për afrimin e Kishës me Shtetin.E kështu salloni i Madamës bëhet i famshëm, pa dashur. E nis të dallohet nga të tjerët, sespe aty flitet për botën, duke e parë në dritën e fesë së krishterë.







All the contents on this site are copyrighted ©.