2008-09-08 19:06:44

T’ ia besojmë veten Zojës së Bekuar


(08.09.2008 RV)RealAudioMP3 O Nëna e ëmbël e Jezusit e Nëna jonë, në sa vijojmë ecjen në rrugën e vështirë të jetës, gjunjëzohemi sot para Teje e të falënderojmë për mbrojtjen tënde, për dashurinë e mirësinë tënde e, duke të siguruar se shpresojmë në Ty, të shpallim përsëri sot, kur mbarë bota katolike kremton Ditëlindjen Tënde, Pajtoren tonë të parë, Nënën tonë të pushtetshme.
Ty t’i besojmë familjet tona e mbarë familjet shqiptare, që t’i mbrosh, në sa tronditen nga divorce të shumta e ndarje të dhimbshme. Dëgjoje, o Nënë, britmën e bijve të tu, që kërkojnë një familje të bashkuar, e edukoji me dashurinë për njëri-tjetrin. Ndihmoji familjet, që kalojnë çaste të vështira, që vuajnë në trup e në shpirt, që ndoshta u mungon edhe buka e përditshme. Ndërmjetëso pranë Zotit t’u japë hirin e ndihmës e të dashurisë.
Virgjër Mari, që u riktheve, së bashku me Papën Gjon Pali II, në Shqipërinë tonë e tënden, të munduar në shekuj: ndihmoi të rinjtë e kësaj toke, ji për ta Nënë e Motër. Mbi jetën e tyre shpesh ndikon mjedisi i prishur, që i tundon të hyjnë në rrugën e drogës e të dëfrimeve shkatërrimtare. Lutju Zotit t’u japë të rriturve hirin ta ndjejnë thellë përgjegjësinë që kanë si edukatorë të breznive të reja!
Shikoi, o Mbretëresha jonë, nevojat e vëllezërve e të motrave që, duke iu përgjigjur thirrjes së Birit tënd, ia kushtojnë gjithë jetën kauzës së Ungjillit. Dhurona sa më shumë thirrje për rrugën meshtarake, në mënyrë që çdo bashkësi të ketë Barinë e vet, e rregulltarët e Shenjtorët t’i dëshmojnë popullit, me jetën e tyre, vlerën e pazëvendësueshme të Ungjillit.

 
Në gjunjë para teje, o Nënë, të rrëfejmë varfërinë tonë: lutju Zotit për ne, të na japë dhuratën e fesë së fortë, që bëhet lutje, bëhet zell, bëhet flakë, e ngroh e ndrin botën. Jepi Kishës në atdheun tonë, hirin e shenjtërisë, që kështu Krishti, Biri yt, të kënaqet me të, duke e parë gjithnjë të re, pa rrudha e pa njolla.

 
Pranoi këto dëshira, që po t’i paraqesim sot në Ditëlindjen tënde, o Zojë, të sigurtë se do të na i nxjerrësh hiret që po të kërkojmë, sepse nuk është dëgjuar kurrë në këtë botë që ndokush të ketë kërkuar ndërmjetësimin Tënd të pushtetshëm e të ketë mbetur i zhgënjyer, o e dhimbëshmja, o e buta, o e ëmbla Virgjëra Mari.

(Përshtatur sipas ‘Lutjes së Benediktit XVI drejtuar Zojës së Bekuar në Kaliari’)







All the contents on this site are copyrighted ©.