2008-09-08 19:08:19

Sot Kisha katolike kremtoi ditëlindjen e Shën Marisë Virgjër.


(08.09.2008 RV)RealAudioMP3 Me përkujtimin e kësaj dite, që tradita e njeh me emrin “Të lémët e Zojës”, kremtojmë ditëlindjen e Virgjërës Mari, Nënës së Tënzot, në kraharorin e së cilës u mishërua Jezu Krishti.
Kjo festë nis të kremtohet për herë të parë me dëshirën e Papës Sergji I në shekullin VII, kryesisht në Kishat lindore. Lindja e Virgjërës lidhet në mënyrë të pazgjidhshme me ardhjen e Mesisë, si premtim, përgatitje e fryt i shëlbimit. Agim që i paraprin diellit të drejtësisë, Maria i paralajmëron mbarë botës gëzimin e lindjes së Shëlbuesit. Është, prandaj, guri i kufirit ndërmjet Besëlidhjes së Vjetër dhe Besëlidhjes së Re. Errësira e natës tërhiqet, ndërsa nis të duket agimi i ditës së re, që na sjell lirinë në vend të robërisë së ligjit të vjetër. Gjithë krijesa këndon nga gëzimi i kësaj dite, njerëz e engjëj bashkohen për të marrë pjesë në kremtimin e liturgjisë së sotme. Është dita në të cilën Krijuesi i gjithësisë ndërtoi tempullin e vet, dita në të cilën, përmes një projekti të mrekullueshëm, krijesa bëhet banesë e zgjedhur e Krijuesit.
Festa e sotme, që shënon fillimin e shëlbimit tonë, na sjelltë bashkimin e paqen me ndëmjetësinë e Vashës së Nazaretit.







All the contents on this site are copyrighted ©.